Rreziku nga qentë e rrugës në Gjilan
Asdren Agushi/RTK
Qentë e rrugëve po vazhdojnë të jenë kërcënim për qytetarët e kryesisht për fëmijët. Një nënë në Gjilan, të cilës qenët ia kishin sulmuar fëmijën, i ka paditur institucionet lokale për mostrajtimin e qenve. E Komuna për një trajtim të tillë ka kërkuar fonde.
Qentë e rrugëve janë bërë rrezik permanent për qytetarët. Vetëm gjatë pesë muajve të këtij viti janë dhjetëra raste që kanë përfunduar në Emergjencën e Qendrës Spitalore në Gjilan për të kërkuar ndihmë nga kafshimi i qenve dhe një nga këto raste ka ngritur padi ndaj institucioneve lokale.
“Ne, si prindër kemi vendosur që të ngremë një padi ndaj institucioneve të qeverisjes lokale, që së paku të bëjmë presion përmes organeve gjyqësore, që të njëjtit të ndërmarrin hapa për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë në komunën tonë”, tha Miranda Keka.
Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Gjilanit ka kërkuar nga kryetari Alban Hyseni për inicimin e procedurave të prokurimit për trajtimin e qenve endacakë.
“Në kuadër të tenderit të trajtimit të qenve endacakë është vaksinimi, kastrimi dhe sterilizimi. Operatorët, të cilët e fitojnë tenderin do ta kenë edhe pjesën tjetër të trajtimit të brendshëm të qenve, që, së paku, të zbutet problemi i qenve në komunën e Gjilanit “, tha Bajram Isufi nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan.
Duke parë se qentë çdo ditë e më tepër po bëhen problem për njerëzit, OJQ-të në qytet kanë fituar një grant, i cili parashikon trajtimin dhe strehimin e tyre.
”Ne, posa kemi shpërndarë disa aktivitete në rrjetet tona sociale. Donatorët privatë na kanë ofruar material falas për ndërtimin e strehimores, por që kjo mbetet në anën e Komunës, se sa i përgjigjet kësaj ftese për një marrëveshje konkrete për ndërtimin e kësaj strehimoreje”, tha Ardiana Halimi, OJQ “Vullnetarët e Qytetit në Gjilan”.























