Vokshi zgjidhet zëvendëspresidente e Forumit të Grave të PPE-së
Shqipëri

Vokshi zgjidhet zëvendëspresidente e Forumit të Grave të PPE-së

ATSH

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi është zgjidhur zëvendëspresidente e Forumit të Gruas së Partisë Popullore Europiane.

Në njoftimin për shtyp nga PD bëhet e ditur se në kongresin zgjedhor të EPP Women, të zhvilluar në Dublin, Vokshi rezultoi një nga 3 gratë më të votuara, duke përfaqësuar denjësisht Lidhjen Demokratike të Gruas dhe Partinë Demokratike.

“Jam shumë mirënjohëse për mbështetjen e familjes sonë të madhe europiane”, u shpreh  Vokshi pas zgjedhjes si zëvendëspresidente e EPP Women.

Ajo tha se “e gjithë energjia ime do të jetë për të promovuar vlerat e demokracisë europiane, për të fuqizuar gratë në Shqipëri, Ballkanin Perëndimor dhe kudo ku luftojnë për barazi”.

Në kongresin e Dublinit, EPP Women vendosi për ndryshimin e lidershipit, Doris Pack u tërhoq pas shumë vitesh të drejtimit të Forumit, duke mbajtur tani vendin e Presidentes së Nderit. Presidente e EPP Women u zgjodh deputetja rumune Rozalia Biro’, Kryetare e Komisionit për Punët e Jashtme.

Në 6 vendet për zëvendëspresidente u zgjodhën: Agnieszka Pomaska, deputete (Poloni). Mariya Gabriel, zëvendëspresidente e PPE dhe Komisionere Europiane për Inivavionin, Kërkimin, Arsimin, Kulturën dhe Rininë, (Bullgari). Albana Vokshi, deputete PD, Kryetare LDGSH (Shqipëri). Dubravka Suica, zv.Presidente e Komisionit Europian, zv.presidente PPE (Kroaci).Walburga v. Lerchenfeld, këshilltare menaxhim krizash, CSU (Gjermani). Doina Gherman, deputete, (Moldavi).


APR