Sinani: Si Luginë, si Preshevë, nuk jemi pa miq. Nuk jemi të izoluar
Naser Mekolli /RTKlive.com
Ish-kryetarja e Komunë së Preshevës, Ardita Sinani, thotë se Lugina e Preshevës nuk është pa miq dhe këtë e dëshmon edhe vizita dhe takimet me nivelet e larta në SHBA.
Ajo, në një postim në Facebook, nga SHBA thotë se: Si Luginë, si Preshevë, nuk jemi pa miq. Nuk jemi të izoluar. Nuk jemi të pabashkërenduar me kryeqendrat e kombit dhe me adresat e aleatëve të shqiptarëve.
Këtë e dëshmoj edhe vizita jonë dhe takimet me nivelet e larta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të dinamizimit të ndërkombëtarizimit të çështjes së Luginës së Preshevës”, shkruan Sinani
Sipas saj, ato nuk do të realizoheshin pa përkrahjen dhe përkushtimin e shumë kontribuesve dhe miqve të Luginës së Preshevës.
“Pa mbështetjen financiare të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit z.Albin Kurti. Pa mbështetjen politike të autoriteteve të Republikës së Shqipërisë”, shkruan Sinani.
Sipas saj, pa organizimin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me z. Joseph dhe znj.Shirley DioGuardi. E natyrisht, pa të palodhshmin për interesat e Luginës së Preshevës, z.Faton Bislimi.
Katër politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës, kanë udhëtuar, para sa ditësh, drejt SHBA-së.
Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, ish-deputeti i Kuvendit të Serbisë dhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve dhe ish-kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa si dhe deri para pak kohësh, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, kanë nisur një vizitë disa ditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për këtë ka raportuar RTKlive, para disa ditësh.
Shkuarjen e tyre në vizitëtë përbashkët në SHBA, ata e kanë konfirmuar në mënyra të ndryshme, edhe në rrjetet sociale.
























