Reja: Nuk kemi lojtarët e duhur për të bërë lojën që duam
BKT
Sport

Reja: Nuk kemi lojtarët e duhur për të bërë lojën që duam

Trajneri i Kombëtares shqiptare, ka folur pas barazimit pa gola me Estoninë.

Kuqezinjtë dhe estonezët luajtën pa gola sonte në ‘Air Albania’ në një ndeshje miqësore.

Strategu italian mendon se qershori ishte një muaj i vështirë për të përzgjedhurit e tij. Reja thotë se edhe mungesa e tifozëve në shkallët e stadiumit zbehu motivimin.

“Në këtë periudhë fundi të kampionatit, është e vështirë të gjesh stimuj. Ishin të gjithë të lodhur dhe me gjithë respektin për djemtë, që kanë punuar mirë dhe janë stërvitur, por ka qenë e vështirë që të japin maksimumin. Kam provuar disa lojtarë të rinj dhe kam parë disa gjëra pozitive, për të qenë besimplotë për të ardhmen. Dukej si një ndeshje e luajtur në mes të gushtit dhe dihen vështirësitë në situata të tilla. Ndeshje të tilla nuk kanë rëndësi në shumë aspekte, pasi duhet të kemi parasysh edhe faktin që nuk kishte tifozë dhe kjo e zbeh akoma më shumë motivimin e lojtarëve”, theksoi Reja.

Ai tregon edhe lojtarët që i pëlqyen në barazimin me Estoninë.

“Kishim punuar shumë, por nuk kemi lojtarët e duhur për të bërë këtë, pasi duhen futbollistë teknikë, që kanë cilësi për të marrë fundoren dhe për të fituar dyluftimet një kundër një. Më pëlqyen Bajrami dhe Muçolli, që janë të rinj dhe treguan personalitet e cilësi. Edhe Mersinaj e Çokaj kanë bërë mirë, por janë lojtarë të perspektivës. Po ndjekim edhe futbollistë të tjerë nëpër Evropë, për të gjetur 2-3 të talentuar, që të zgjidhim edhe këtë problem që thamë sot”,  tha Reja.