Kreu i PDK-së: Hani i Elezit, jo vetëm vendkalim por edhe vendqëndrim
Blerim Halimi / RTKlive
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në vazhdën e vizitave të tij nëpër komunat e Kosovës, sot ka vizituar Komunën e Hanit të Elezit, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Mehmet Ballazhi dhe ekipi i drejtorëve.
"Pata kënaqësi të veçantë që të vizitoj Hanin e Elezit, të takoj kryetarin Ballazhi dhe stafin e tij të drejtorëve që është një kabinet i mrekullueshëm dhe që është shembull i mirë i barazisë gjinore, por edhe i kompetencës, i profesionalizmit dhe i përkushtimit për të punuar për qytetarët", tha Krasniqi.
Pas vizitës në komunë, Krasniqi dhe Ballazhi kanë parë nga afër Qendrën e re të Kulturës, një projekt i nisur vite më parë kur PDK e udhëhiqte Ministrinë e Kulturës, e që ka përfunduar tani kur këtë komunë e udhëheq kryetari nga radhët e PDK-së.
"Kam thënë çdo herë që Hani i Elezit nuk duhet të jetë më vetëm një vendkalim. Ai duhet të kthehet në vendqëndrim që u jep perspektivë e mundësi qytetarëve të tij, por të rejave dhe të rinjve të Hanit të Elezit para së gjithash. Dhe sot, nga diskutimet që kishim me kryetarin, me stafin e tij të drejtorëve, por edhe nga vizitat që i bëmë në terren për t'i monitoruar punët që po bëhen, vërtetë u ndava jashtëzakonisht i kënaqur, sepse ato premtime që janë dhënë në fushatë po i shohim duke u realizuar për një periudhë shumë të shkurtër tashmë gjashtëmujore nga marrja e detyrës", theksoi Krasniqi.
Pas Qendrës së Kulturës, kryetari Krasniqi dhe kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi kanë vizituar punimet në përfundimin e projektit për Fabrikën e Ujit të Pijshëm dhe vendkalimet për qytetarë përgjatë hekurudhës, që do duhet të rregullohen për ta ndryshuar për të mirë situatën tek familjet dhe qytetarët e Hanit të Elezit.























