Rama: S’ka negociata për anëtarësim së shpejti dhe faji është i Bullgarisë
Shqipëri

Rama: S’ka negociata për anëtarësim së shpejti dhe faji është i Bullgarisë

rtsh.al

Shqipëria nuk pret hapje të negociatave me BE në samitit që do të mbahet javën e ardhshme dhe për këtë akuzon Bullgarinë pas vetos që ka bllokuar Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri Edi Rama u shpreh pesimist për marrjen e një ‘drite jeshile” për vendin për të ecur para me integrimin në BE. Rama tha se nuk pret që Bullgaria të ndryshojë qëndrim pasi mosmarrëveshjeve mes saj dhe Maqedonisë së Veriut janë bërë të koklavitura, sa tashmë është e vështirë të tërhiqesh pas.

“Nuk kam asnjë pritshmëri. Unë mendoj se asgjë nuk do të ndodhë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të hapin zyrtarisht bisedimet për të pasur anëtarësim. Është një spirale. Ata kanë hyrë në një spirale. Dhe nga kjo spirale, është shumë, shumë e vështirë të dalësh”,  tha Rama nga zyra e tij në Tiranë në një intervistë për Politico.

I pyetur nëse ndonjë lider i BE-së kishte sinjalizuar se bisedimet mund të fillojnë së shpejti, Rama u përgjigj: “Çfarë sinjalesh mund të japin? Nuk bëhet fjalë për ta. Përsëri, bëhet fjalë për Bullgarinë. Të gjithë janë dakord, të gjithë mbështesin, të gjithë mendojnë se kjo duhet të ndodhë, dhe kjo duhet të kishte ndodhur tashmë. Por kufiri i tyre i manovrimit është i kufizuar nga Bullgaria.”

Rama shtoi se nëse nuk ka përparim këtë muaj me hapjen e negociatave do të kërkojë që oferta e Shqipërisë për anëtarësim të trajtohet veçmas nga ajo e Maqedonisë së Veriut. Ky është një hap që BE deri tani ka hezituar ta ndërmarrë, me zyrtarët që argumentojnë se do të ishte më mirë për stabilitetin rajonal nëse dy fqinjët mund të përparonin së bashku.

“Nëse asgjë nuk ndodh në qershor, ne do të kërkojmë të ndahemi nga ky çift. Kam besim se kjo është ajo që duhet të bëjmë, atëherë nëse [udhëheqësit e BE-së] do të bien dakord apo jo, do të shohim”, tha Rama.

Në mars 2020 u ra dakord t'i japin Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dritën jeshile për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, por negociatat nuk kanë nisur ende pasi Bullgaria vendosi veton ndaj Maqedonisë së Veriut pas pretendimeve lidhur me mosmarrëveshjet dypalëshe që prekin gjuhën, historinë dhe identitetin. Duke qene se integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ecën së bashku, bllokimi i Shkupit nga Sofja, sjellë edhe bllokimin e Tiranës zyrtare drejt BE-së.

Rama gjithashtu mbështeti idenë e presidentit francez Emmanuel Macron për një Komunitet Politik Evropian , një organizatë që do të ishte e hapur si për anëtarët ashtu edhe për jo anëtarët e BE-së.

“Unë mendoj se ai ka të drejtë. Kjo duhet të ishte bërë shumë kohë më parë, sepse kjo është vizionare. Kjo mund të diskutohet, por në parim, të kesh një komunitet politik i cili organizohet në mënyra të ndryshme  është shumë e rëndësishme dhe është përtej Bashkimit Evropian që kemi sot, i cili qartësisht nuk është në gjendje të përballet me sfidat e kohës që janë përpara”, tha Rama.

Lidhur me sanksionet ndaj Rusisë dhe hezitimit të Serbisë për t’u bashkuar sanksioneve të Perëndimit, Rama tha se besonte se Serbia duhet të vendosë sanksione me kalimin e kohës, por paralajmëroi se ushtrimi i tepërt i presionit perëndimor mbi Serbinë mund të jetë i dëmshëm për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

"Të kërkosh që të shkojnë atje, tani, dhe në të gjithë gamën, është praktikisht e pamundur.  Është vetëvrasëse për ekonominë e tyre. Ne ndonjëherë duhet të durojmë me të tjerët dhe të kuptojmë se çfarë po ndodh, përndryshe nuk mund ta mbajmë këtë komunitet të bashkuar për qëllime më të larta dhe më të mira. Mendoj se Serbia është në rrugën e duhur. Sigurisht, jo me shpejtësinë që mund të na pëlqen, mund të dëshirojmë. Por më besoni, skenarët e tjerë janë vërtet shumë të keq për të gjithë dhe veçanërisht për këtë rajon”, tha Rama.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa