E konfirmon policia, alarmet për bomba rezultojnë të rrejshme (Video+Foto)
Foro:Policia e Kosovës
Lajme

E konfirmon policia, alarmet për bomba rezultojnë të rrejshme (Video+Foto)

Jeton Musliu / RTKlive

(E plotësuar: Ora: 11:37) Policia e Kosovës deklaroi se sot në orët e hershme të mëngjesit, nga personeli i disa shkollave, ka pranuar informacione për kërcënime me mjete shpërthyese (bomba) në disa objekte shkollore, të ndodhura kryesisht në zona të banuara me popullatë serbe.

Policia deklaron se bazuar në informacionet e deritanishme, këto kërcënime janë bërë në rajone të ndryshme në disa objekte shkollore (deri më tani në rreth 30 lokacione), e të cilat kërcënime janë pranuar përmes formës elektronike dhe linjave telefonike.

“Referuar informacioneve të pranuara, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme policore në funksion të trajtimit dhe hetimit të këtyre rasteve, duke angazhuar njësitet relevante policore, përfshirë ato për trajtimin e materieve shpërthyese dhe njësitin me qenë (K-9)”, deklaron policia.

Gjithahstu, forcat e rendit njoftojnë se kanë ndërmarrë veprime konkrete duke evakuuar personat në perimetrat e sigurisë, përderisa do të vazhdojë angazhimin e saj në ruajtjen e rendit kushtetues, garantimin sigurisë në nivel vendi si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.

“Deri në këtë fazë Policia e Kosovës ka arritur t’i trajtoj dhe verifikojë disa nga objektet shkollore, të cilat kanë rezultuar të jenë kërcënime të rrejshme”, deklaron policia, duke ftuar qytetarët që të mos krijojnë ndonjë panik, pasi Policia e Kosovës është prezente dhe e angazhuar në trajtimin, hetimin dhe ofrimin e sigurisë në të gjitha lokacionet në nivel vendi.

 

Kërënimi për bombë, alarm i rrejshëm 

Fadil Sertolli / RTKlive

(E plotësuar: Ora: 11:27) Pas hetimeve të policisë, është konstatuar se raporti për vendosjen e mjetit shpërthyes në shkollën fillore “Mbreti Millutin” në Graçanicë, rezulton të ketë qenë i rremë. Këtë e konfirmoi por RTKlive, drejtori i kësja shkolle, Vladimir Milkiq.

(E plotësuar: Ora: 10:45) Kërcënimet e sotme për vendosjen e bombave nëpër disa shkolla në vend, nuk janë të vetmet.

Deri më tani është konfirmuar se shkollat në Graçanicë, Sushicë, Llapnasellë, Zveçan, Mitrovicë e së fundi edhe në Shtërpcë, kanë marrë kërcënime për vendosjen e mjeteve shpërthyese.

Policia i ka konfirmuar këto alarme  dhe është duke kryer hetime.

Megjithatë, jo shumë kohë më parë,  në Prishtinë ka pasur një varg kërcënimesh për vendosje mjetesh shpërthyese.

Këto kërcënime, u paraqiten fillimisht në stacionin e autobusëve në Prishtinë më pastaj  në shkollën e mesme “Xhevdet Doda”, e po ashtu edhe tek Rektorati i Universitetit të Prishtinës, më 17 e 18 maj.

Ndërkaq, një alarm është dhënë javë më parë për vendosjen e një bombe edhe  në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. 

Në këtë rast bëhej fjalë për aeroplanin e linjës Prishtinë-Romë, ku pas kontrolleve të policisë,  doli se alarmi ishte i rrejshëm..

Kurse, më 17 dhe 18 maj, në Kosovë u raportua se ka pasur alarm për mjete shpërthyese në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në kryeqytet.

Edhe Stacioni i Autobusëve në Prishtinë ishte cak i tri alarmeve për vendosje  bombash në intervalin kohor nga 7 janari deri me 15 shkurt.

Policia konfirmon kërcënimet për bomba në shkolla

Jeton Musliu/ RTKlive

(E plotësuar: Ora: 09:55) Komandanti i stacionit policor në Graçanicë, Bratisllav Trajkoviq, konfirmoi për RTKlive se sot në orët e para, e kanë marrë njoftim për një bombë të vendosur në të gjitha shkollat ​​në territorin e komunës së Graçanicës.

"Ne kemi marrë informacione për vendosje bombe  në të gjitha shkollat ​​e komunës së Graçanicës”, tha Trajkoviq për RTKlive.

“Të gjithë nxënësit janë evakuuar dhe jemi në pritje të njësive të policisë  për të kontrolluar saktësinë e informacionit", tha komandanti i stacionit policor në Graçanicë, Bratisllav Trajkoviq.

Ai shtoi se derisa të inspektohet objekti nga njësitë e shpërthimit, ai nuk mund të konfirmojë nëse raporti për bombën ishte i rremë.

Ndërkohë, deri më tani janë konfirmuar kërcënime për vendosje bombash , përveç në shkollën fillore në Graçanicë, edhe në Sushicë, Llapnasellë, Zvecan, Mitrovicë e së fundi edhe në Shtërpcë.

RTKlive sjell përmbajtjen e e-mailit kërcënues për bomba dërguar shkollave

(E plotësuar: Ora 09:10) Kërcënimi me vendosje bombe në shkollën “Mbreti Millutin” në Graçanicë, është bërë përmes një e-maili.

Në adresë të kësaj  shkolle fillore, siç ka kuptuar RTKlive, e-maili është i shkruar në gjuhën serbe dhe në alfabetin cirilik.

Në e-mail kërcënohet Serbia, presidenti i këtij vendi fqinj dhe qeveria serbe.

 “Një mjet shpërthyes është i vendosur në një shkollë. Unë nuk do të fshihem. Do të duhen vrasje. Ne do të vrasim”, shkruan ndër të tjera në këtë e-mail.

“Ne do të shkatërrojmë. Na vjen sinqerisht keq që do të vuajnë të pafajshmit. Nuk ka rrugë tjetër. Ne do të rrëzojmë qeverinë e Serbisë. Sytë tanë janë te presidenti i Serbisë dhe rrethi i tij, sytë tanë janë te presidenti i Serbisë dhe rrethi i tij, do t'i vrasim të gjithë”, shkruan më tej në këtë e-mail, të dërguar nga një adresë me emrin “dafodill”

Ndërkohë, drejtori i kësaj shkolle, Vladimir Milkiq, tha për RTKlive se ende nuk dihet nëse një kërcënim i tillë është i rremë ose jo.

Ai tha se janë në pritje të njësiteve policore përkatëse nga Prishtina.

Në objektin e kësaj shkolle fillore në Graçanicë, gjendet edhe institucioni parashkollor dhe Shkolla e Mesme e Komunikacionit.

Por jo vetëm në këtë shkollë të Graçanicës ka sot kërcënime të tilla. Raportohet se kërcënime të ngjashme janë dërguar edhe në shkollat e fshatrave Sushicë dhe Llapnasellë.

Alarme për vendosje bombash në shkollat e Graçanicës, Zveçanit e Mitrovicës

Kërcënimi për vendosje të një mjeti shpërthyes, sot në mëngjes në shkollën fillore në Graçanicë, ka alarmuar policinë.

Një kërcënim dërguar shkollës fillore “Mbreti Millutin”në këtë qytezë, për vendosje të bombës, ka bërë që rreth 700 nxënës të njoftohen që të mos shkojnë sot në mësim.

Policia ende nuk ka dhënë ndonjë sqatim, megjithatë ata kanë dalë në vendin e ngjarjes, kurse nxënësit po mbajnë mësim nga distanca.

Ndërkohë, këtë mëngjes kërcënime të ngjashme janë evidentuar edhe në shkolla të tjera.

Procesi mësimor është ndërprerë edhe nëpër disa shkolla në komunat veriore të vendit. Kjo pasi sot në mëngjes, ato dyshohet se kanë pranuar mesazhe anonime kërcënuese, se në to janë vendosur bomba.

Në shkollat ‘Branko Radicevic’ në veri të Mitrovicës dhe ‘Vuk Karaxhiq’ në Zveçan, është ndërprerë mësimi dhe nxënësit kanë dalë jashtë këtyre objekteve për shkak të sigurisë. 

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes.

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa