Në Forumin e Prespës për Dialog, merr pjesë edhe Kurti
BKT
Foto: RTK
Lajme

Në Forumin e Prespës për Dialog, merr pjesë edhe Kurti

Kimete Kasumi/ RTKlive

(E plotësuar ora: 9:40) Përveç presidentes Osmani, në këtë forum do të marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, si dhe ajo e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli.

Presidentja Osmani merr pjesë në Forumin e Prespës në Maqedoninë e Veriut

Me ftesë të presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka udhëtuar për në Maqedoninë e Veriut. Ajo do të marrë pjesë në Forumin e Prespës për Dialog me temë: “Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë”, i cili i zhvillon punimet nga data 16 deri më 18 qershor në Ohër.

Sipas një komunikate nga Presidenca, ajo do t’i drejtohet panelit përgjatë sesionit kryesor të hapjes zyrtare, me krerë të tjerë shtetesh, me temën: “Çfarë pas luftës në Ukrainë?”, ku do të diskutohet mbi realitetin e ri gjeopolitik të krijuar nga lufta në Ukrainë, për forcimin e unitetit transatlantik si dhe për përgjigjen e përbashkët kundër agresionit rus.

"Forumi i Prespës për dialog do të jetë nikoqir i krerëve të shteteve të rajonit, përfaqësuesve nga BE-ja, ShBA-ja, e personaliteteve të shquara nga fusha e politikës, sigurisë, ekonomisë, nga komuniteti akademik dhe ai i biznesit.

Gjatë Forumit presidentja Osmani do të ketë takim bilateral me homologun Stevo Pendarovski si dhe me zyrtarë të lartë të shteteve të tjera pjesëmarrëse.

Krahas sesionit të hapjes zyrtare dhe takimeve bilaterale, presidentja Osmani do të jetë ndër folëset kryesore edhe në panelin e diskutimit ‘Samiti i Demokracisë: Rëndësia e grave në qeverisje’, ku do të diskutojë për avancimin e agjendës së grave, sigurisë dhe paqes", thuhet në komunikatën e Presidencës.


MË SHUME NGA Lajme