Osmani nga Prespa: Rrugën tonë për në BE nuk mund ta ndërpres Moska
Naser Mekolli /RTKlive.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në Forumin e Prespës në Maqedoninë e Veriut, me temë “Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë”, i cili zhvillon punimet nga sot, 16 deri 18 qershor në Ohër.
Presidentja Osmani duke ju drejtuar panelit përgjatë sesionit kryesor të hapjes zyrtare, me krerë të tjerë shtetesh, me temën: "Çfarë pas luftës në Ukrainë”?, tha se Kosova meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Dihet se edhe Gjeorgjia e Moldavia kanë marr statusin e vendit kandidat për në BE dhe kjo është shumë e rëndësishme për këto vende që të ndjekin rrugën evropiane.
“Rrugën tonë për në BE nuk mund ta ndërpres Moska, mendoj se samiti i qershorit do të jetë i mirë edhe për Ballkanin Perëndimor. Kemi pritur shumë për liberalizimin e vizave. Kosova tani prej pesë vitesh po pret liberalizimin e vizave, pas vendimit për BE-së për heqjen e tyre, por kjo akoma nuk ka ndodhur. Andaj i bëjë thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE-së që ta miratojnë këtë vendim shumë të lehtë, nuk është i vështirë pasi i kemi përmbushur të gjitha kushtet dhe nuk ka asnjë arsyeje që qytetarët e Kosovës të mbahen në geto”, ka thënë Osmani
Presidentja ka thënë se, nëse BE-ja dëshiron ta luftojë influencën e Rusisë në Ballkan, duhet ta ndihmojë Kosovën në liberalizimit të vizave, ta ndihmojë rajonin në integrimin në BE.
“Nëse BE-ja dëshiron të ndalojë influencën e Rusisë e Kinës, të jenë të sinqertë me vendet e rajonit. Nëse dëshironi të luftoni kundër ndikimeve ruse dhe kineze në rajon, njiheni Kosovën, njiheni pavarësinë e Kosovës, lejoni liberalizmin e vizave. Mbështetni statusin e shtetit kandidat të Kosovës dhe Bosnjës. A dëshironi të luftoni me ndikimet ruse? Atëherë mbështetni Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrugën drejt BE-së", tha ajo.
“BE-ja të qëndrojë e bashkuar, ajo duhet të jetë forca jonë dhe kjo do ta mundë Rusinë. Duhet të jeni të bashkuar edhe për Kosovën, ta përkrahni kandidaturën e vendit tonë për në Bashkimin Evropian... ... Ne folëm për Ukrainën, ne qëndrojmë përkrah Ukrainës. Ne jemi për të drejtat e njeriut, mbrojtjen e demokracisë, dhe nuk duhet të lejojmë asnjëherë bullizimin e dikujt ndaj dikujt”, tha ajo.
Sipas saj, BE-ja dhe SHBA kanë lënë një vakum në rajonin tonë, të cilin ka dashur ta shfrytëzojë Putini, Rusia. "BE duhet ta dijë se sa më shumë zgjatë procesin e integrimit tonë në BE, Rusia do të mundohet ta destabilizojë rajonin".























