Kosovë-Serbi, javën tjetër marrëveshje për energjinë
Jeton Musliu / RTKlive
Atë që e paralajmëroi sot Miroslav Lajçak, i emëruar special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, për mundësinë e arritjes së një marrëveshje të rëndësishme mes Kosovës e Serbisë, në fakt e kanë paralajmëruar ditë më parë edhe zyrtarët e tjerë nga Prishtina e Beograd zyrtar.
Gjatë pjesëmarrjes së tij në ‘Forumin e Prespës’, Lajçak tha se javën tjetër, pritet të ketë takim mes dy kryenegociatorëve, të Kosovës e Serbisë në Bruksel.
“Ne do të kemi një tjetër takim mes kryenegociatorëve javën e ardhshme. Me shpresë, ne do të mund të njoftojmë rreth një marrëveshjeje shumë të rëndësishme”, tha Lajçak për televizionin Euronews Albania, por pa e specifikuar se cila mund të jetë një marrëveshje e tillë.
Sidoqoftë, për arritjen e një marrëveshje me Kosovës e Serbisë, është njoftuar më parë nga zyrtarët e të dy vendeve.
Me 3 qershor, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe njëkohësisht kryenegociator në dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi, në intervistë për mediat e Serbisë, deklaroi se marrëveshja për energjinë është pothuajse në përfundim.
Ai tha se kur është fjala për energjinë, nga nëntë pika, ka mbetur vetëm një hap që duhet ta bëjë pala serbe dhe se sipas tij, një gjë e tillë duhet të ndodhë gjatë javës së ardhshme.
“Mendoj se nuk ka asnjë arsye që palët të thonë se nuk mund të fillojnë të zbatojnë marrëveshjen menjëherë. Rregullatori i energjisë në Kosovë ka 100 ditë kohë për të zbatuar marrëveshjen”, ka thënë Bislimi pwr televizionin N1.
Ndërkohë, në një deklarim të para katër ditëve për mediat kosovare, Bislimi u shpreh se marrëveshja për energjinë nuk do të ndryshojë asgjë përtej asaj që është dakorduar në Bruksel në vitin 2013 dhe 2015.
Arritjen e një marrëveshjeje për energjinë, e paralajmëroi ditë ditë më parë, edhe presidenti i Serbsië, Aleksandar Vuçiq. Ai pati thënë se palët janë gati të arrijnë marrëveshje.
Ai tha se për këtë çështje ka pasur negociata me Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).
“Sot kemi pasur negociata me palën turke, me KEDS-in, për prezencën në veri të Kosovës. Për këtë jemi dakorduar. Shpresojmë se ka mbetur vetëm ana teknike [që të rregullohet] dhe do të kemi rezultate të mira në ditët në vijim", pati thënë Vuçiq, cituar nga radio Evropa e Lirë.
Sidoqoftë, Lajçak deklaroi se po shpreson t’i bëj kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin Serbisë, Alaksandar Vuçiq, bashkë në Bruksel, për takimin e tretë të nivelit të lartë dhe këtë, përpara pushimeve të verës.























