Rezolutë nga Shqipëria në Këshillin e Evropës për akuzat e Dick Martyt
BKT
Foto: RTK
Lajme

Rezolutë nga Shqipëria në Këshillin e Evropës për akuzat e Dick Martyt

Jeton Musliu / RTKlive

Shqipëria do të hartojë një rezolutë të cilën do ta paraqesë në Këshillin e Evropës, e që do të ketë lidhje me Gjykatën Speciale.

Kështu deklaroi kryeministri  i Shqipërisë, Edi Rama në Prishtinë, gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti,  pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

“Ne jemi duke përgatitur një rezolutë  për Kuvendin e Shqipërisë, dhe pastaj  do të shkoj personalisht në Strasburg, në rastin më të parë, shpresoj në shtator”, tha kryeministri Rama.

“Atje do t’i drejtohem Këshillit të Evropës, për një fakt që bëhet gjithmonë e më shqetësues në këndvështrimin tim e këndvështrimin  tonë”, tha Rama.

Sipas tij, kjo ka të bëjë me pa bazueshmërinë totale të raportit të ish senatorin zviceran, Dick Marty dhe influencës ruse.

“Të kësaj influence ruse për këtë përrallë të një ‘Shtëpie të Verdhë’ e trafiku organesh, duke pasur parasysh se akuza e trafikut të organeve është akuzë e përsëritur edhe në kontekste të tjera”, tha kryeministri Edi Rama.

Ai iu referua propagandës ruse edhe në këshillin e Sigurimit të OKB-së, kur ambasadori i Rusisë, e përsëriti një gjë të tillë në një nga mbledhjet e mbajtura ditë më parë.

“Nuk ka as edhe një fakt të lidhur nga raporti i Dick Martyt,   e që ishte shkaku që u mor gjithë rruga për të shkuar tek Gjykata Speciale”, tha Rama.

Sipas tij, për këtë dikush duhet të hapë veshët, e  nëse jo të përgjigjet, së paku ta dëgjojë.

“Këtë duhet ta dëgjojnë edhe sponsorët e atij Tribunali. Të dëgjojnë se ai Tribunal është krijuar të  japë përgjigje atyre akuzave të ngritura nga Dick Marty. Nuk ka asnjë gjë në aktakuzë nga këto pretendime, ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, pra zero”, tha  Rama.

“Ne kemi të gjithë të drejtën të besojmë se këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën,  aspak dashamirëse me shqiptarët, që e kanë nxitur këtë raport”.

Më tej, kryeministri shqiptar foli edhe për vizitën që u bëri  prindërve të ish presidentit Thaçi një ditë më parë në Burojë të Skenderajt, duke thënë se ishte vizitë personale.

“Marrëdhënia ime me presidentin Thaçi është e njohur. Në raport kur i jam përgjigjur në pyetjen se për çfarë arsye do ta takosh në Hagë, e kam shkruar me germa të mëdha ’më ka marrë malli”, tha Rama.

 


MË SHUME NGA Lajme