Meta kthen marrëveshjen për Butrintin
Shqipëri

Meta kthen marrëveshjen për Butrintin

rtsh.al

Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin për menaxhimin e parkut të Butrintit dhe kërkon ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për Parkun Kombëtar të Butrintit me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare.

Meta shkruan se ky ligj cenon Kushtetutën dhe se nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO. Sipas presidentit Meta kjo marrëveshje për menaxhimin e Butrintit prek interesin publik shqiptar dhe se nuk janë kryer konsulta me ekspertë të pavarur që kanë njohuri të thelluara mbi Parkun dhe siteve arkeologjike të tij.

“Cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës. Cenon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në preambulën e Kushtetutës, duke cenuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar. Cenon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO dhe bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij. Procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje si dhe shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare lidhur me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre. Për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Evropian”, shkruan Meta në arsyetimin e tij.

Në kërkesën e tij për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar në Kuvend, Meta thotë se nuk duhet lejuar asnjë mundësi që pasuria e shqiptarëve të keqadministrohet dhe të humbasin gjurmën e identitetit shqiptar. Për presidentin kjo kërkesë hynë në llojin e atyre çështjeve të një rëndësie ekstremisht të veçantë, e cila kërkon kujdes të lartë nga organet shtetërore dhe për këtë Kuvendi duhet të vlerësojë sugjerimin për ngritjen e një komisioni të tillë.

Përmes këtij komisioni, thotë Meta, mund të arrihet një proces i gjerë dhe solid konsultimi e diskutimi që do të nxjerrë produktin më të mirë dhe të ketë dakordësi të gjerë.

 “Të ngrihet me qëllim respektimin e parimeve kushtetuese dhe vlerave universale; -mbrojtjen e trashëgimisë tonë kombëtare nga shtrembërime të çdo lloj natyre;-respektimin e Konventës së Parisit dhe parimeve të përcaktuara nga UNESCO; -për të garantuar që rendi juridik i normave të legjislacionit shqiptar, është i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë dhe askush nuk mund të ketë një trajtim të parapëlqyer nga qeveria nëpërmjet Kuvendit; -për të mos lejuar asnjë mundësi që pasuria e shqiptarëve të keqadministrohet dhe pjesët më të rëndësishme të saj që faktojnë gjurmët reale të identitetit ilir dhe shtetit shqiptar të humbasin;-në respekt të Rezolutës së Parlamentit Evropian për Shqipërinë të datës 19 maj 2022 dhe i bindur dhe mbështetës për gjithë sa parashtrohet në këtë Rezolutë;-me qëllimin që pasuria dhe financat e shtetit që krijohen nga një pasuri kombëtare e patjetërsueshme, të administrohen në funksion të kësaj çështje në mënyrën më të mirë të mundshme;-duke respektuar njëkohësisht dhe vullnetin dhe angazhimin prej vitesh të Fondacionit Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim (AADF);-në respekt të çdo eksperti dhe qytetari dhe anëtari të shoqërisë civile të Republikës së Shqipërisë, i cili përmes opinioneve, vlerësimeve dhe angazhimeve kërkon mbrojtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare dhe pasurisë sonë të përbashkët”, shkruan Meta.

Marrëveshja për menaxhimin e Butrintit ka shkaktuar debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ku kjo e fundit akuzon qeverinë se hoqi Butrintin si zonë e mbrojtur dhe shikon vetëm paratë që do i vijnë nga ky park përmes bizneseve që do të ngrihen aty. Përtej debateve, ky ligj u miratua në muajin maj në Kuvend me 75 vota pro, 18 kundër dhe 1 abstenim.

Marrëveshja synon zhvillimin e Parkut të Butrintit, dhe kthimin e tij në një pikë të rëndësishme turistike. Fondacioni për menaxhimin e Butrintit krijohet në partneritet me Fondacionin jo shtetëror Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe do të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Richard Hodges. Kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa