Rama flet për Hagën dhe Serbinë (Video)
Jeton Musliu / RTKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur sot nga Prishtina, u kërkoi vendeve perëndimore që të reflektojnë sa i takon burgosjes së drejtuesve të UÇK-së. Duke marrë pjesë në prezantimin e librit të nënkryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, me titull “Përplasja e Madhe”, kryeministri Rama hodhi dyshime se Gjykata Speciale e Hagës mund të jetë nën ndikimin e Rusisë.
Sipas Ramës, ish presidenti Hashim Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, po mbahen në Gjykatën Speciale, pa asnjë akuzë.
Teksa përmendi emrin e ish senatorit Dick Marty, mbi të cilin u ngrit Gjykata Speciale, Rama tha se ndaj tij, nuk ka asnjë respekt.
Ai konsideroi se akuzat e hedhura prej tij për trafikim organesh nga krerët e UÇK-së gjatë luftës, janë “përralla”.
Më tej, kryeministri i Shqipërisë, foli edhe për marrëdhëniet e shqiptarëve me Serbinë.
Në promovimin e librit të Enver Hoxhajt, ai tha se Serbia tani ndodhet mes dy zjarreve prandaj beson se ky shtet duhet të mbajë distancë të mjaftueshme me Rusinë, në mënyrë që Ballkani të mos përfshihet nga flaka ruse.
Ai tha se Serbia është e varur nga Rusia në shumë aspekte dhe si e tillë nuk mund të pozicionohet haptas kundër saj.
“Kush pret nga Serbia që të hidhet në flakë për perëndimin nuk e di çfarë është kjo. Ajo nuk mundet, pasi nuk ka asnjë mundësi ta bëjnë këtë pasi përbëhet nga një popull ku 80% mendojnë se Putini ka të drejtë”, thotë ai.
Më tej, Rama shtoi se Kosova nuk është e detyruar t’u kthehet luftërave dhe se në rast që dikush e detyron atë, atëherë Shqipërinë e ka mbrapa.























