Ambasada britanike uron Ahmetxhekajn
BKT
RTKlive
Lajme

Ambasada britanike uron Ahmetxhekajn

Kimete Kasumi/ RTKlive

(E plotësuar: Ora: 17:05) Transmetuesi Publik është esencial për demokracinë, ka thënë të martën, Nicholas Abbott, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë.

Këtë e ka thënë përmes një postimi në Facebook, teksa ka uruar Shkumbin Ahmetxhekaj për marrjen e detyrës në krye të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

“Të kesh një transmetues publik të lirë dhe të pavarur është esenciale për demokracinë”, ka thënë ambasadori britanik.

E të hënën, drejtori i ri i RTK-së, ka premtuar reforma – duke shtuar se ka vite që po i kërkojnë ato.

ECPMF dhe IPI urojnë për zgjedhjen e drejtorit të RTK-së

E plotësuar ora: 15:00) Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Rrjeti Global për Mediet e Pavarura (IPI) e kanë përgëzuar bordin e Radio Televizionit të Kosovës për transparencë dhe meritokraci për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

ECPMF ka bërë me dije se ky është hap i rëndësishëm për depolitizimin e transmetuesit publik dhe për reformimin e tij.

Ndërkaq IPI ka shkruar në llogarinë e vet në rrjetin social “Twitter”, se mirëpret përzgjedhjen transparente dhe profesionale të drejtorit të ri të RTK-së nga bordi i këtij televizioni. Sipas IPI, Ahmetxhekaj do të bëjë hapa përpara për ndërtimin e një institucioni të pavarur dhe të besueshëm.

OSBE e Von Cramon, urojnë për zgjedhjen e drejtorit të RTK-së

( E plotësuar ora: 11:40) Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka uruar për emërimin e Shkumbin Ahmetxhekajt drejtor i përgjithshëm i RTK-së.

"Mirë ta shohim transmetuesin publik të Kosovës, RTK-në, ta zgjedhë drejtorin e saj", ka shkruar misioni i OSBE-së në Facebook.

Viola von Cramon mirëpret emërimin e Ahmetxhekajt

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka mirëpritur emërimin e Shkumbin Ahmetxhekajt drejtor i përgjithshëm i RTK-së.

“Lajm i mirë për procesin transparent dhe meritor të përzgjedhjes së drejtorit të RTK-së, i cili do të hapë edhe më tej depolitizimin e mediave në Kosovë” ka shkruar Von Cramon në rrjetin social Twitter.

 

Një ditë më parë,  Bordi i RTK-së, zgjodhi Ahmetxhekajn në postin e drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.

Bordi në mënyrë thuajse unanime zgjodhi për një mandat trevjeçar që transmetuesin publik ta drejtojë Ahmetxhekaj.

 

 

 

 

 

 

 


MË SHUME NGA Lajme