Porti i Durrësit, Rama: Shqipëria dhe Kosova qendra graviteti në rajon
Naser Mekolli /RTKlive.com
Në mbledhjen e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, të mbajtur në Prishtinë më 20 qershor u miratuan 19 marrëveshje. Në këtë mbledhje u miratua edhe Marrëveshja për bashkëfinancimin ndërmjet Ministrisë Së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë Së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor Dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës për studimin e fizibilitetit dhe projekt - idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Për këtë, në rrjetin social Facebook shkroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai ritheksoi rëndësinë e këtij projekti i cili, sipas tij, do të transformojë rrënjësisht jo vetëm infrastrukturën tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, po edhe gravitetin ekonomik rajonal, duke e kthyer Durrësin në një nga portat strategjike të ekonomisë së Mesdheut.
“dhe me projektin ambicioz të Portit të ri të Durrësit, paraqitur në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, si projekt i integruar me projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe portin e thatë në Prishtinë, që do të transformojë rrënjësisht jo vetëm infrastrukturën tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, po edhe gravitetin ekonomik rajonal, duke e kthyer Durrësin në një nga portat strategjike të ekonomisë së Mesdheut, ju uroj një ditë të bukur", ka shkruar kryeministri Rama duke i bashkangjitur një video për këtë projekt.
Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive dje u prezantua projekti i ndërtimit të projektit tregtar në Porto Romano dhe integrimi me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe Porti i Thatë në Kosovë.
Drejtori në Royal Haskoning DHV, Eric Smit, duke vlerësuar si mjaft të rëndësishëm këtë projekt, theksoi se nëse ky port do të jetë i realizueshëm, Kosova dhe Shqipëria do të ndryshojnë lojën në Ballkanin Perëndimor.
Sipas prezantuesit të projektit me 10 sllajde, Smit tha se Porti i Thatë jep shumë mundësi dhe është një infrastrukturë ideale për ta hequr ngarkesën nga portet detare. Kjo i lehtëson disa pjesë shumë thelbësore të portit detar.























