Nagavci: S’do të ketë më vonesa në shpërndarjen e teksteve shkollore
Lajme

Nagavci: S’do të ketë më vonesa në shpërndarjen e teksteve shkollore

KSP

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se tekstet shkollore për këtë vit do të dërgohen më herët se herëve tjera nëpër shkolla.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se nuk do të ketë më vonesa në shpërndarje dhe pranim të teksteve shkollore, pasi këtë vit janë përkujdesur që palët e përfshira në procesin e shpërndarjes dhe pranimit të teksteve shkollore të jenë të informuar mirë për afatet kohore dhe përgjegjësitë.

“Neglizhenca e askujt nuk guxon të dëmtojë nxënësit tanë. Komisioni për evidentimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore i themeluar nga MASHTI, do të mbikëqyrë zbatimin e përgjegjësive nga DKA-të dhe shkollat në proces të përzgjedhjes së teksteve shkollore nga aktivet profesionale, raportimin e numrit të saktë të kërkesave për tekste shkollore, pranimin e porosive dhe shpërndarjen e teksteve shkollore”, ka shkruar Nagavci.

Ajo tha se këto tekste do të dërgohen në fund të muajit korrik, e jo si më herët, në shtator.

“Është hera e parë që një proces kaq i rëndësishëm po strukturohet opercionalisht si duhet. Tekstet shkollore nuk do të dërgohen më në shkollat tona në fillim të shtatorit gjatë procesit mësimor, por, shumë më herët në kohë, në fund të muajit korrik”.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa

MË SHUME NGA Lajme