Michel ka pritje të mëdha nga Samiti BE-Ballkan (Plotësuar)
Foto: KE
Lajme

Michel ka pritje të mëdha nga Samiti BE-Ballkan (Plotësuar)

Jeton Musliu / RTKlive

(Plotësuar: Ora: 12:20) Para fillimit të samitit të BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor në Bruksel, para medieve foli edhe  Charles Michel,  President i Këshillit Evropian.

Ai tha se ky është një moment vendimtar për Bashkimin Evropian dhe është  një zgjedhje gjeopolitike që do të vendoset këto dy ditë.

“Dhe jam i bindur se sot do të pranojmë statusin e vendeve kandidate për Ukrainën, Moldavinë dhe të shprehim perspektivë të qartë për këto dy vende si dhe për Gjeorgjinë”, tha Michel.

Ai foli edhe për vendet e Ballkanit perëndimor.

“Në gjithashtu  kemi  takim të rëndësishëm me liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor. Është moment shumë i rëndësishëm sepse ka vullnet politik të cilit ne duhet t’i japim energji”, tha Michel para gazetarëve.

“T’i japim energji këtij procesi dhe  vendeve të Ballkanit perëndimor, t’iu  dërgojmë mesazh të qartë dhe të fortë”.

Vuçiq: Nuk frikësohem, iku koha shantazheve (Plotësuar)

(E plotësuar: Ora: 11:04) Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po merr pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor, tha se nga takimi në Bruksel, ai nuk pret asgjë.

Ai tha se nuk u trembet presioneve dhe sipas tij, shantazheve dhe se ato kohë kanë kaluar.

“Iku koha kur shtetet e lira dhe të pavarura mund të shantazhoheshin dhe u bëhej presion. Ne jemi këtu besoj me miqtë për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe të rajonit. Ne do të jemi këtu me miqtë tanë edhe nga rajoni që të luftojmë për atë të ardhme evropiane, por duke e respektuar veten dhe duke e besuar këtë së bashku ne mund të bëjmë shumë”, tha Vuçiq.

“Se  ne jemi të frikësuar, këto janë histori për fëmijë dhe ato kohë kanë ikur”, tha Vuçiq.

I pyetur nëse mendon se Maqedonia e Veriut është e frikësuar, presidenti serb deklaroi se për Serbinë, ai shtet është miqësor e vllazëror.

 “Gjithçka që ndihet në Shkup dhe Maqedoninë e Veriut, është sikur ne e ndjejmë në Serbi. As ne nuk presim asgjë. Ne po kërkojmë, thjesht duam të zhvillojmë me shpejtësi marrëdhëniet tona miqësore dhe vëllazërore dhe besoj se do të të jemi së bashku në rrugën evropiane dhe në të gjitha rrugët e tjera”, u tha Vuçiq gazetarëve në Bruksel.

Ai deklaroi se nuk priste ndonjë gjë të veçantë nga samiti BE-Perëndim, por shtoi se i janë mirënjohës Bashkimit Evropian për  mbështetjen, ndihmën dhe investimet.

"Kjo është ajo që është e rëndësishme për ne."

I pyetur nga gazetarët nëse pret kritika për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, Vuçiq u përgjigj: “Pres ose nuk pres, unë do të flas”.

Sa i përket deklaratës se Serbia është ulur në të gjitha karriget, Vuçiq është përgjigjur negativisht. Ai tha se Serbia është ulur në karrigen e vet, dhe se askush nuk mund ta udhëheqë politikën e Serbisë, por qytetarët përmes lidershipit të tyre.

Sa i përket deklaratës së kancelarit gjerman Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi në fillim të qershorit, se pret që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, Vuçiq tha se i ka përcjellë mesazhin kancelarit Scholz  që të mos presë se  ajo (Serbia) do ta bëjë këtë.

Kancelari Scholz: BE t`i mbajmë premtimet për Ballkanin perëndimor (Video)

(E plotësuar: Ora: 10:50) Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, para hyrjes në samitin BE-Ballkan perëndimor, dha një deklaratë për media.

Ai tha se këtë mëngjes ka një  diskutim shumë të rëndësishëm mes vendeve të Ballkanit perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

“Diskutim me këto vende të cilat kanë 20 vjet që qytetarët e tyre dhe vetë shtetet po mundohen të jenë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Scholz.

Sipas kancelarit gjerman, ajo që është më e rëndësishmja,  duhet dhënë premtim që duhet mbajtur.

“Dhe ndaj kësaj situate Gjermania ndihet e përgjegjshme për të marrë përsipër  shqetësimin dhe për të treguar se këto shtete kanë mundësi dhe kanë perspektivë evropiane”, tha kancelari i Gjermanisë.

Ai tha se vendet e Ballkanit perëndimor janë munduar kaq shumë.

“Ato po bëjnë shumë e kemi madje edhe rastin e Maqedonisë së Veriut e cila ka ndryshuare dhe emrin, vetëm që të bëhet pjesë e BE-së. E ky është  edhe një shembull i përkushtimit të këtyre vendeve”.

Sipas Scholz, pyetja më e rëndësishme është se duhet punuar së bashku që shtetet e Ballkanit perëndimor të kenë mundësi që vërtetë të bëhen anëtarë të BE-së.

“Ato kanë punuar kaq shumë prandaj është detyra jonë në të ardhmen që ta bëjmë të mundur që kjo të ndodhë”.

Rama deklaron se Bullgaria ka marrë peng Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, para hyrjes në samitin BE-Ballkan perëndimor dha një deklaratë për media.

I pyetur nëse rrëzimi i qeverisë së Bullgarisë, i shuan shpresat  e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për marrjen e datës për fillim të bisedimeve për antarësim në BE, kryeministri Rama tha se përkundër optimizmit, nuk pret të zgjidhet asgjë në Bullgari

“Por ndërkohë nëse do të zgjidhet, do të jetë mundësi për të marrë frymë të lehtësuar pasi një vend i NATO-s ka marrë peng  dy vende të NATO-s në kulmin e një lufte të nxehtë në kufi të Evropës dhe nën vështrimin e  26 vendeve  të tjera që shohin”, tha kryeministri Rama.

Ditën e djeshme, parlamenti bullgar rrëzoi qeverinë, duke thelluar’ ngërçin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave.

Kryeministri Rama edhe në një postim në Tëitter, deklaroi se teksa Ukraina prej 4 muajsh përballet me agresionin rus, Bullgaria mban peng’ Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nën mbikëqyrjen e 26 vendeve të Bashkimit Evropian që siç shkruan ai, ‘qëndrojnë në një shfaqje të frikshme impotence’.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa