BE dhe ShBA-ja: Shqipëria ecën përpara në drejtësi, ndërhyrjet vazhdojnë
Denion Ndrenika/ RTK
Në Pallatin e Brigadave në Tiranë po zhvillohet konferenca ndërkombëtare për drejtësinë. Temë e konferencës është pavarësia e magjistratëve gjyqtarë dhe prokurorë dhe respektimi i interesit të publikut për punën e drejtësisë.
Brukseli dhe Uashigtoni thonë se 6 vjet pas miratimit, reforma në Drejtësi po jep rezultate në Shqipëri, por dhe se ende ka punë për të bërë.
Zyrtarët euroamerikanë marrin pjesë në konferencën ndërkombëtare "Interesi i publikut në administrimin e drejtësisë dhe pavarësia e magjitstratëve", të organizuar nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.
Kryeinspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani tha se Shqipëria ka kryer reformë të thellë ligjore dhe institucionale në sistem pikërisht për të gjetur dhe përshtatur mekanizmat me stadin e zhvillimit shoqëror.
Alexis Hupin, i ngarkuar me punë, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, tërhoqi vërejtjen se ndikimet e papërshtatshme dhe ndërhyrjet vazhdojnë:
“E ardhmja është në duart tuaja. Procesi i Vetingut vendosi standarde të rinj dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, ka detyrë t'i ruajë ata. Kemi bërë rrugë të gjatë, por ndikimet e papërshtatshme dhe ndërhyrjet në çështjet e gjyqësorit vazhdojnë duke marrë forma të ndryshme, përfshirë me sulme kundër reformës në drejtësi dhe gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
I ngarkuari me punë i ambasadës amerikane Demian Smith tha se Shqipëria po kalon në epokën e funksionimit të sistemit të drejtësisë:
“Kurrë më parë Shqipëria nuk ka patur një kuadër të tillë gjithëpëfshirës për hetimin dhe dispilinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ju takon që t'i përdorni këto mjete për të vazhduar atë që vetingu ka filluar, për të siguruar një sistem të drejtë dhe të pavarur drejtësie. Shqiptarët po nisin të shohin rezultate nga heqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, arrestimi i politikanëve, i zyrtarëve të korruptuar dhe kriminelë të krimit të organizuar”.
Që kur reforma u miratua në 21-22 korrik 2016 nga 140 deputetët, Brukseli ka ndihmuar me 50 milionë euro për të gjithë institucionet gjyqësore dhe ngulmon se ajo reformë ka rëndësi kritike për hyrje në Bashkimin Europian.
Në konferencë marrin pjesë gjithashtu drejtues dhe përfaqësues të Inspektorateve të Drejtësisë të vendeve të BE-së, Belgjikës, Bullgarisë, Francës, Greqisë, Italisë, Portugalisë, Rumanisë, Spanjës, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, zëvendësdrejtuesi i Zyrës së Këshillit të Europës, Olsi Dekovi dhe mesazh nga Delphine Agoguet, koordinatore e Rrjetit Evropian të shërbimeve të Inspektimit ku ILD ka statusin e vëzhguesit dhe Sekretarja e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë, Muriel Decot.























