Parlamenti i Bullgarisë voton pro heqjes së vetos ndaj Shkupit e Tiranës
Jeton Musliu / RTKlive
Papritur, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, i hapet mundësia për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Kjo pasi Parlamenti i Bullgarisë, votoi që ky shtet të mos përdorë veton ndaj Maqedonisë së Veriut.
Me 170 vota pro, 37 kundër dhe 21 abstenim, deputetët bullgarë votuan që të heqin VETO-n sipas kushteve të propozimit të presidencës franceze, me disa propozim-ndryshime të caktuara të propozim teksteve të procesit negociues.
Votimi për përfundimin e vetos së Bullgarisë kundër fqinjit të saj erdhi dy ditë pasi ligjvënësit bullgarë rrëzuan qeverinë e kryeministrit Kiril Petkov në një votë mosbesimi.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoj sa duhet për mendimin e tij të mirë që më thirri, por mund ta falënderoj për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament!”, shkroi kryeministri Rama.
“ Mik i vërtetë, lider i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët shpëtuan fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt!”.
Në lidhje me këtë zhvillim, reagoi edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
“Më në fund erdhi lajmi i shumëpritur nga Bullgaria mike, që ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur e procesit tonë të anëtarësimit”, deklaroi presidenti shqiptar.
“Votimi nga Parlamenti bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, hapi rrugën për nisjen e negociatave të anëtarësimit për të dyja vendet tona. Në pritje të lajmit tjetër nga mbledhja e Këshillit Europian”.
Pas një zhvillimi të tillë, pritet që shumë shpejt Këshilli evropian të marrë një vendim. Kjo pasi edhe në konferencën për media të së enjtes në mbrëmje, presidenti i Francës, Emanuel Macron, e parlajamëroi një gjë të tillë.
“A është e drejtë ndaj Maqedonisë së Veriut? Do jua them me shumë sinqeritet: Jo”, deklaroi Macron në konferëncën për meda.
Sipas tij, për këtë arsye BE-ja ka ushtruar shumë presion mbi Bullgarinë këto muajt e fundit.
“ Është gjithashtu dhe fryti (arsyeja) e një krize aktuale politike në Bullgari dhe nuk mund të bëjmë sikur kjo gjë nuk ka ndodhur. Dua të përshëndes kurajon dhe angazhimin politik të kryeministrit Petkov (kryeministrit bullgar) në këtë kontekst”, deklaroi Macron. “Ai ka bërë gjithçka”.
Ai tha se presidenti i Bullgarisë duhet të angazhohet dhe BE-ja ka shpresa në të, partitë e koalicionit, partitë që dolën nga koalicioni dhe opozita të votojnë propozimin francez.
“Dhe më pas, në orët që vijojnë do takohemi me përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut për të finalizuar këtë marrëveshje. Nëse e gjitha kjo avancon në këtë mënyrë, atëherë ne mund të ecim përpara duke filluar që nga java e ardhshme, duke filluar nga organi i ambasadorëve të përhershëm të BE-së e më pas duke vijuar me procedurën dhe të mund të avancojmë kështu me këtë projekt me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.
Kështu, Bullgaria ka dhënë një ‘dritë jeshile’ për mundësinë e heqjes së vetos ndaj Maqedonisë së Veriut. Në parlamentin bullgar është miratuar një projektligj që mundëson heqjen e vetos përmes propozimit francez të Macron.
Parlamenti bullgar e hoqi veton me kushtin që sipas propozimit francez, Komisioni Evropian do të shërbejë si arbitër sepse tani procesi i anëtarësimit i Maqedonisë së Veriut është i lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë.
Që prej vitit 2020 Bullgari ka bllokuar rrugën e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, ku rrjedhimisht pengohej edhe Shqipëria, pasi të dy vendet trajtohen në grup.























