Nagavci për anëtarët e KD-së në UP: U shpërfillën veprimtaritë akademike
BKT
Foto:EO
Lajme

Nagavci për anëtarët e KD-së në UP: U shpërfillën veprimtaritë akademike

F.Sertolli / RTKlive.com

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, e ka bërë të qartë pozicionin e ministrisë lidhur me zgjedhjet e fundit për anëtarë të Këshillit Drejtues në Universitetin e Prishtinës, si dhe për raportimet dhe vendimet e fundit të organeve të Universitetit lidhur me shkeljet e etikës në hulumtime e publikime.

E para e ministrisë së arsimit, Nagavci nëpërmjet një konference për medie të mërkurën, tha se zgjedhjet për anëtarë të KD-së në UP, janë bërë pa u përfill veprimtaria akademike por vetëm interesat personale dhe grupore.

“Siç e kam thënë edhe javën e kaluar, zgjedhjet e reja për anëtarë të Këshillit Drejtues riprodhuan situatën e vjetër. Lakmia e individëve për të dominuar me Këshillin Drejtues prodhoi koalicione dhe marrëveshje joparimore brenda Senatit akademik, pjesë e të cilave janë menaxhmenti aktual, përfaqësuesit e stafit akademik dhe përfaqësuesit studentorë. E gjithë kjo rezultoi me një përfaqësim në Këshillin Drejtues me të cilin nuk mund të jemi të kënaqur. Nuk u përfill as veprimtaria akademike, as reputacioni, as angazhimi shoqëror i individëve, por vetëm interesat personale dhe grupore për ta vënë nën kontroll organin më të lartë qeverisës të Universitetit”, tha Nagavci.

“U zgjodhën 5 anëtarë në mesin e të cilave nuk është asnjë grua, përkundër faktit se mbi 60% e stafit të rregullt akademik janë gra. MASHTI distancohet krejtësisht nga ky proces zgjedhor dhe siguron opinionin se nuk ka bërë asnjë lloj ndikimi për asnjë nga kandidatët që kanë garuar për anëtarë të Këshillit Drejtues. Aludimet se kemi ushtruar ndikim përmes një organizate studentore janë të papërgjegjshme dhe nuk kanë asnjë bazë. Isha shumë e qartë në shprehjen e qëndrimit tim në raport me rolin e përfaqësuesve studentorë, të gjithëve pa përjashtim, në këtë proces zgjedhor”, u shpreh ajo.

 


MË SHUME NGA Lajme