Live-Kuvendi: Ministrja Hajdari paralajmëron masa shtesë për çmimet
Muharrem Miftari/ RTKlive.com
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisw dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari deklaroi sot se janë duke monitoruar situatën e çmimeve të produkteve esenciale, ku do të ketë vendosje edhe të disa masave shtesë.
Në debatin parlamentar për rritjen e çmimeve, ajo ka pohuar se çmimet e naftës janë më të larta se sa ato që janë importuar.
“Kemi spekulantë të ndryshëm në tregun tonë. Ne do të sigurojmë që të kemi sa më shumë konkurrencë të shëndoshë dhe treg të shëndoshë. Dhe aq më shumë nafta për shembull është importuar 1 litër për 1,52 centë dhe është shitur 1,84 centë, prandaj qeveria duhet të veprojë”, ka deklaruar ajo.
Ministrja Hajdari shtoi se mos përshtatja e çmimeve të naftës e sjell mundësinë ligjore që qeveria të veprojë me aktin e vetëm nënligjor. Ajo theksoi se janë duke analizuar situatën e çmimeve për çdo produkt esencial.
Ministrja Hajdari tha se kanë punuar në formalizimin e naftës, meqë siç tha ajo që ka pasur edhe shumë raste të ryshfetit.
“Kam gjetur 700 pika të pa formalizuara të karburanteve, të shitësve me pakicë të naftës. Prej 700 pikave ishin vetëm 200 pika të regjistruara dhe 500 tjera të paregjistruara. Pse? Sepse kishte munguar Ligji i Naftës”, tha jo.
Haxhiu: Qeveria Kurti të ketë kujdes në shëndetësi
Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu,duke folur për funksionin e rolin e deputetit në Kuvendin e Kosovës, ai sqaroi se këtu janë zgjedhur njerëzit të ushtrojnë funksion politik për të zgjidhur çështjet që preokupojnë qytetarët.
Ai përmendi dështimin e votimit për projektligjin për Trustin e që tani po vazhdon peticioni për të nga qytetarët.
Deputeti Haxhiu shprehu gatishmërinë që, si deputet, të jetë i gatshëm për të marrë nisma për të bërë krahasimet mes qeverive, veprimet e tyre deri më tani.
Tutje ai shtroi kërkesë që të ketë kujdes në shëndetësi, t’i kushtojë më shumë vëmendje kësaj shtrese, që dikur konsideronim heronj në kohë pandemie.
“Është zvogëluar numri i shtretërve në emergjencë dhe në shumë dikastere tjera të shëndetësisë”, theksoi mes tjerash Haxhiu.
Ndër të tjera, në fjalimin e tij, deputeti Haxhiu kritikoi korrupsionin në këtë dikaster.
“Le që nuk ka projekte të reja por edhe ato ekzistuese janë ndërprerë, meqë nuk ka buxhet”, tha në fund Haxhiu.
(E plotësuar) Gashi:Qasja e qeverisjes në shpenzime, çmenduri
Lidhur me sqarimet që bënë kryeministri Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, reagoi kryetari i grupit parlamentar Arben Gashi, i cili tha se më çuditi dëshira e kryeministrit që të interpretojë disa shifra që i dha ministri i tij i Financave, ndonëse të gabuara.
“Ministri i tij i Financave tha se një familje në Kosovë merr pagë mesatare 450 euro, duke vënë theksin se 100 euro shkojnë për jetesë e që sipas kësaj të dhëne, një familje 6-anëtarëshe i bie që brenda ditës t’i shpenzojë 53 cent. Ku ka familje që shpenzon kaq?”, deklaroi deputeti Gashi
Ai, pastaj përmendi edhe shpenzimet e karburanteve në muaj, duke sqaruar çështjen në ndikimin që mund të ketë çmimi i karburantit në secilin produkt.
“Kjo mënyrë e të menduarit se një familje mund të jetojë me 100 euro me shpenzime bazë, është çmenduri kolektive e kësaj qeverie”, përfundoi deputeti Gashi.
(E plotësuar) Tahiri: Qeverisja duhet të jetë përtej shpërndarjes së mjeteve
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kritikoi qasjen e qeverisjes së kryeministrit Kurti.
Ai vlerësoi se qeverisja e Kurtit është vetëm shpërndarje të mjeteve te qytetarët e vendit.
“Kryeministër, krejt çka dëgjuam është shpërndarja e mjeteve. I dhamë këtu, i dhamë aty, i dhamë këtyre i dhamë atyre. Sikur të kishe thënë: edhe paga ua kam dhanë. Asgjë tjetër. Ka një vit e gjysmë që dëgjojmë këtë, jo politika që bëjnë përballjen më të lehtë me krizën”, deklaroi deputeti Tahiri.
Tutje ai shtoi se qeverisja nënkupton shumë më shumë se shpërndarjen e mjeteve dhe mbledhjen e taksave.
“Ke thënë: Qeverisja është shumë serioze. Por si nuk e kuptoni që qeverisja është përtej shpërndarjes së mjeteve, përtej shpërndarjes së taksave që i mbledhë. Ndaj sot ti duhet menduar për një politikë zhvillimore që bizneset ta kthejnë në zhvillim e punësim”, theksoi Tahiri.
Pos tjerash ai përmendi edhe kërkesat tjera të qytetarëve që nuk përmbyllen vetëm me ndihma e mbështetje financiare, por, sipas tij, ato kërkesa janë edhe për punësim, por në vendet tjera.
“I përmende lehonat por është edhe një e vërtetë tjetër që kurrë ma shumë kërkesa të qytetarëve për kërkesa pune nuk ka pasur. Kërkesa e qytetarëve është me lëshu vendin”, shtoi deputeti Tahiri.
“Duhet të rishikoni filozofinë në qeverisjen tënde, se nuk është baza e qeverisjes në shpërndarjen e mjeteve”, tha në fund, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
(E plotësuar) Musliu: Vendimet e marra të mbikëqyret zbatimi i tyre
Deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, reagoi ndaj fjalimit të kryeministrit Kurti lidhur me përfitimin që gratë lehona marrin si mbështetje nga qeveria.
“Pikërisht për këtë çështje kam protokollu një pyetje për ministrin Murati, por meqë ju, kryeministër, keni përmendur disa herë në vazhdimësi, po ju tregoj se shtesat për lehonat nuk pati në mënyrë të drejtë”, deklaroi deputetja Musliu.
Ajo tutje, sqaroi mangësitë në procedurën e zbatimit të mbështetjes për këtë kategori shoqërore, pikërisht nga Ministria e Financave.
“Duhet të mbikëqyren vendimet që i marrim se si po zbatohen në terren”, tha në fund deputetja Musliu.
(E plotësuar) Kurti: Qeverisja është gjithëserioze
Në debatin për gjendjen aktuale në vend, në sferën ekonomike, kryeministri Kurti kritikoi qasjen e opozitës me propozimet e tyre për zbritjen e akcizës dhe të TVSH-së për tre muaj plus tre muaj shtesë.
Kjo, sipas tij, nuk është ide, por mungesë e saj, sepse qeverisja është gjithëserioze.
“Kur thua tre muaj me mundësi vazhdimi për tre muaj tjerë, kjo është persiatje. Qeverisja me persiatje nuk shkon”, sqaroi Kurti.
(E plotësuar) Bajrami: Ne besojmë në ekonominë e tregut
Ajo kritikoi qasjen e ministrit Murati, duke thënë se ministri nuk tha asgjë për gjendjen aktuale në vend.
Deputetja Bajrami shtoi se në propozimet e shtruar nga LDK, gjeni disa argumente që nuk do të shkonin në përfitim të konsumatorëve të fundit.
Tutje ajo kritikoi qasjen e MTI-së për çmimoren që cakton për disa ditë radhazi për naftën dhe derivatet e saj, që, sipas saj, janë në nivel maksimal.
“Sa i përket kredisë është e vërtetë që negociatat kanë fillu në kohën time por nuk është vendosë për strukturën e kredisë dhe asnjë kredi, kështu të strukturuar, nuk e kisha sjellë në Kuvend”, deklaroi deputetja Bajrami.
Më tej ajo sqaroi kohën kur ajo ishte ministre e Ekonomisë.
“Kohën sa isha ministre e Ekonomisë, të hyrat kanë qenë minus 300 milionë uro, për shkak se ishte kohë pandemie dhe në atë kohë kemi shpërndarë 282 milionë euro masa mbështetëse për qytetarët, ju sot më flisni se keni tejkalim të planit për 31% dhe flisni për masat që ju keni ndërmarrë. Por mbështetja e juaj nuk ka shkuar ashtu si duhet në ndihmë te ato familje në nevojë” tha në fund deputetja Bajrami.
(E plotësuar) Murati: Kam menduar se do të vini me shifra konkretë
Lidhur me propozimet e vëna nga kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, reagoi ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se debati i kërkuar nga ju, si parti opozitare, kam menduar se do të vini me propozime konkrete, me shifra se sa janë për të hyrat në buxhetin e shtetit e sa përfitojnë qytetarët në anën tjetër, e pastaj ta krahasojmë me atë që kemi bërë ne.
“Ne kemi marrë vendime për 365 milionë euro dhe i listojmë përfitimet që kanë marrë qytetarët, duke nisur nga energjia elektrike”, theksoi ministri Murati.
Tutje ai përmendi përfitimet që qytetarët kanë marrë nga asistenca dhe mbështetja e shtetit.
“Ju nuk keni ardhur me një kalkulim të tillë, por ta shikojmë nëse një familje me të ardhura mesatare nëse do të ishte ulur akciza apo TVSH-ja me 10%, përfitimi mujor do të ishte 10 euro në muaj nga propozimi i juaj. Ndërkaq nga zbritja e TVSH-së për naftën, përfitimi i familjeve me të ardhura mesatare do të ishte 6.5 euro në muaj”, theksoi ministri Murati.
(E plotësuar) Abdixhiku: Mosveprimi është i njëjtë si korrupsioni
Në seancën plenare në Kuvendin e Kosovës,ku, mes tjerash, po diskutohet për inflacionin në vend, foli kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili theksoi se nuk ka zhvillim ekonomik e qeveria nuk është në gjendje të marrë asnjë masë, e janë në gjendje të përmendin ekonominë sociale.
“Do të bëheni vendi i parë në botë që më politika sociale të bëni zhvillim ekonomik”, theksoi Abdixhiku.
Më tej ai përmendi rritjen e inflacionit në Kosovë që ka arritur deri në 13%, rekordi më i lartë në Kosovë. “Dihet se ky inflacion nuk vjen prej Albinit por prej Putinit, po çështja është se çfarë bën Albini. A merr ndonjë masë ta zbusë atë”, sqaroi Abdixhiku.
“Tani në këtë inflacion çështja është te njerëzit që janë në kufi të mbijetesës, si mbijetojnë këta njerëz, me gjithë këtë inflacion”, shtoi ai.
Tutje, Abdixhiku theksoi se problemi i qeverisë është me propozuesin e jo me propozimin.
Ai vlerësoi se dëmi i shoqërisë janë ata që s’dinë që s’dinë.
Më tej ai propozoi që të hiqet akciza e TVSH-ja në lëndën e parë e jo tek artikujt tjerë, sepse është lëndë e parë, që të përmirësohet jeta e qytetarëve.
“Politikisht je duke shkuar aty ku kam qejf me të pa, por kujdes për qytetarët. Mosbërja është e njëjtë si korrupsioni sepse të dyja të varfërojnë”, tha në fund të fjalimit të tij, kryetari i LDK-së, deputeti Abdixhiku.
(E plotësuar) Kurti:Është evidente që janë rritur çmimet, jo vetëm në Kosovë
Kryeministri Albin Kurti tha se është evidente rritja e çmimeve, por se sipas tij, kjo nuk po ndodh vetëm në Kosovë dhe se çmimet janë rritur globalisht.
Kurti tha se Qeveria po përpiqet të marrë masa,duke u përpjekur që të parandalojë presionet e inflacionit të brendshëm.
“Është evidente se kemi rritje të çmimeve. Kosova nuk është e vetme, çmimet janë rritur globalisht edhe për shkak të vështirësive të zinxhirit të furnizimit. Ju kujtohet sesi vitin e kaluar pati nisur një rritje e çmimeve pa asnjë bazë. Për çmimin e karburanteve kemi marrë disa masa ku kemi përcaktuar marzhën e fitimit”, tha Kryeministri.
Kryeministri nuk ka lënë pa e përmendur edhe ndarjen e mjeteve financiare prej 100 eurove për disa kategori sociale.
“Nga kjo ndihmë, është dëgjuar për herë të parë dora e shtetit”, tha Kurti.
Hoti: Rritja e të hyrave të shtetit është rezultat i shtrenjtimit të çmimeve
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se “rritja e të hyrave të shtetit është rezultat i shtrenjtimit të çmimeve”, madje sipas tij, ministri Murati dhe deputeti Muja “po mashtrojnë ose nuk i kanë informatat elementare.
“Nuk është rritur importi, ndërsa të hyrat po – kjo është rezultat i rritjes së çmimeve”, ka thënë Hoti.
Ish-kryeministri Hoti foli edhe për marzhën e fitimit të naftëtarëve, me ç’rast tha se qeveria veç ua ka rritur fitimin atyre.
Bajrami: Në tregun e lirë s’mund të bëni ligj që cakton marzhë të fitimit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, në seancën e Kuvendit ka thënë se s’mund të bëhet ligj me të cilin u cakton marzhën e fitimit tregtarëve, ngase sipas saj, me Kushtetutën e Kosovës, vendi është ekonomi e tregut të lirë, dhe si e tillë është e pamundur t’iu caktohet marzha e fitimit.
Kosova, sipas saj, nuk prodhon mjaftueshëm asnjë produkt bazë.
“Si ekonomi e tregut të lirë me Kushtetutën që e kemi me kapacitete e munguara që i kemi ne mundemi me lëvizë me politika tatimore, ne mundemi me ulë taksa, me heqë akcizën për me ju dalë në ndihmë qytetarëve por harrojeni se mund të bëni ligj me ju caktu tregtarëve në ekonominë e tregut të lirë, neni 10 i Kushtetutës e thotë ku oferta dhe kërkesa e cakton çmimin që ne mundemi me ju caktu neve marzhën. Konkurrenca i bën çmimet, e ju Autoritetin e Konkurrencës nuk e keni funksionalizu deri më tash”, tha ajo.
Bajrami tha se nëse u caktohet ligj tregtarëve të sheqerit ose të miellit, ata s’importojnë rrjedhimisht vendi mbetet pa këto produkte.
“Po ju bëjë me dije që Kushtetuta e Republikës së Kosovës s’ka ndryshuar, neni 10 është në fuqi, ne jemi ekonomi e tregut të lirë. Thatë me hartu një ligj për me e caktu marzhën e fitimit për produktet bazë. Kosova nuk prodhon sheqer, caktojani marzhën importuesve të sheqerit, cka bëjnë tregtarët nuk importojnë sheqer dhe në Kosovë s’ka sheqer a është masë kjo, ndërkohë masa që kemi propozuar ne, është në video zoti kryeministër që ka qenë në opozitë dhe konkurronte për t’u bërë kryeministër thoshte që qumështi me qeverinë e VV-së do të kushtojë më lirë sepse do ta bëjë TVSH-në zero. Nëse importuesit e miellit vendosin që me marzhën që e caktoni ju nuk kanë fitim, kush mund t’i detyrojë ata me importu”, tha Bajrami.
Ish-ministrja e Financave, tha se marzhë të fitimit mund t’i caktohet KEK-ut.
“A e din kujt mundemi me i caktu marzhë të fitimit, KEK-ut, 35 euro edhe pse ZRrE-ja e ka shtrenjte në bashkërendim me qeverinë çmimin e rrymës, ende KEK-u ia shet KEDS-it 35 euro sepse e prodhojmë vet”, tha ajo.
Kuvendi-Kurti: Imazhi i Kosovës është përmirësuar
Jeton Musliu/ RTKLive
Ndaj deklaratave të deputetes Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Kosova ka pasur më shumë se dyfishin e kritereve për të plotësuar krahasuar me vendet fqinje. Megjithatë, ai u zotua se është përmirësuar imazhi i Kosovës.
“Ajo çfarë mund të thuhet në të kaluarën është që imazhi i Kosovës nuk ka qenë i mirë. Mirëpo, për 17 vende në Transparency International Corruption Index është ngritur Kosova”, deklaroi kryeministri.
“Për 17 vende sa i përket lirisë së medias, Reporterët pa Kufij është ngritur Kosova. Sipas World Justice Project jemi të parët në Ballkan e të 60 në Evropë”, deklaroi Kurti në Kuvend.
“Pra, askush nuk mund të thotë më as që imazhin nuk e kemi të përmirësuar. Por, edhe një herë po e ritheksoj ka skepticizma të ndonjë ministri të Brendshëm të ndonjë vendi anëtar, me të cilat po merremi. Por, sërish nuk është një gjë që vendimi mund të merret në Prishtinë”, është përgjigjur kryeministri Albin Kurti.
Deliu-Kodra: E keni kontaminuar narrativin për Kosovën
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka kritikuar partinë në pushtet për kontaminim të narrativit për shtetin e Kosovës.
Ajo derisa është deklaruar në lidhje me liberalizimin e vizave, ka thënë se ani pse ishin të përmbushura kriteret, dikur kërkonin dorëheqjen e qeverisë.
Në lidhje me këtë, Albin Kurti tha se Kosovës i është përmirësuar imazhi në botë.
Gjatë seancës plenare, deputetja Deliu-Kodra tha se në gjitha takimet në botë, partia që tashmë është në pushtet e ka paraqitur Kosovën si shtet jo-funksional.
Tahiri kërkon të hiqet TVSH-ja për produktet bazë për 6 muaj
Fadil Sertolli/ RTKlive
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri,ka fajësuar ekzekutivin e vendit për mungesë veprimi që lidhet me rritjen e çmimeve të produkteve, porse ka thënë se nuk e fajëson Qeverinë për çdo gjë.
Ai tha se Qeveria “duhet ta rishikojë dhe vlerësojë drejt çështjen e akcizës në naftë”.
“Ne jemi të vetëdijshëm se si ka ardhur te kjo rritje e çmimeve. Qeverinë e kritikojmë dhe akuzojmë për neglizhencë dhe mosangazhim. PDK-ja në mars kishte sjellë projektligjin për TVSH-në ku kemi propozuar që tatimi për produktet bazë të ulet nga 18 në 8 për qind. Sot jemi në një situatë krejt tjetër, që jo të reduktohet, por edhe të hiqet krejt TVSH-ja për këto produkte për një periudhë 6 mujore”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës që të rishikojë çështjen e akcizës dhe tatimin në vlerën e shtuar për naftën, pasi sipas tij një pjesë e qytetarëve po shkojnë në Maqedoni për t’u furnizuar me derivate.
Ai tha se qytetarët kërkojnë ndërhyrjen dhe angazhimin direkt të Qeverisë Kosovës.
“Një pjesë e madhe e qytetarëve që jetojnë në zonën kufitare me Maqedoninë, kalojnë në Maqedoni për tu furnizuar me derivate. Kjo është e tmerrshme për neve, për shkak të uljes se akcizës në këto produkte. Rishikojeni çështjen e akcizës dhe tatimin në vlerën e shtuar në naftë”, tha Tahiri.
Tahiri ka këmbëngulur se kjo çështje duhet të merret seriozisht nga Qeveria, nga se kjo krizë nuk do zgjas gjithmonë.
“Të paktën tatimi në vlerën e shtuar të hiqet për një periudhë të caktuar kohore. Rishikojeni, hiqeni fare tatimin në vleren e shtuar, të paktën për një periudhë të caktuar, se kjo krizë nuk do jetë gjithmonë”, tha Tahiri.
Kusari e arsyeton rritjen e çmimeve me luftën në Ukrainë
Shefja e grupit parlamentarë të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila në debatin parlamentar lidhur me rritjen e çmimeve ka prezantuar qëndrimin e LVV-së, duke akuzuar opozitën se pavarësisht se i ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë, po e bënë një politikë jo të drejtë ku çmimet janë rritur si pasojë e kësaj lufte.
Madje, ajo ka renditur ndihmat të cilat, sipas saj, i ka dhënë qeveria për qytetarët dhe të hyrat e rritura të Doganës dhe ATK-së.
Ajo tha se është e rëndësishme që kuvendi të trajtojë temën me seriozitet për rritjen e çmimeve dhe të propozojnë masa.
“Efektet e saj ndjehen në të gjitha segmentet e jetës. Kundërshtimi i opozitës për projekti të ndihmës sociale në Kosovë ka efekt negativ në 25 mijë familje që janë me ndihmë sociale. E para është reduktimi i akcizës. Gjatë vitit aktual kanë qenë të hyra mbi 6 milionë euro”, tha ajo.
Kusari-lila tha se Bankat e Kosovës kanë arritur mbi 4 miliardë euro dhe se rritja e çmimeve ka ardhur nga ndikimet nga jashtë, si lufta në Ukrainë e kështu më radhë.
“Se kemi rritje të çmimeve të shumicës së produkteve është evidente”, shtoi ajo.
LIVE-Kuvendi-Mustafa:Të reduktohen akciza dhe TVSH-ja
Muharrem Miftari/ RTKlive
Në pikën e radhës për masat që duhet ndërmarrë për të ndihmuar qytetarët të përballen me rritjen e çmimeve në produktet esenciale, foli Besian Mustafa, deputet nga radhët e LDK-së.
Sipas tij inflacioni vetëm në muajin maj ka tejkaluar 12.5 % dhe trendi shkon në rritje, duke përmendur disa produkte ushqimore bazike në rritjen me çmime astronomike. Ai përmendi edhe rritjen e çmimit të derivateve të naftës, që gjithashtu ndikon në rrijen e çmimeve tjera, duke vështirësuar jetën e qytetarëve.
Tutje ai propozoi në emër të LDK-së dy masa konkrete: në reduktimin e akcizës dhe të TVSH-së për tre maj me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj të tjerë.
Ai duke ftuar qeverinë për një qasje proaktive shtroi pyetjen ministrit të Financave pse nuk e bën një gjë të tillë, kur ta lejon ligji.
Tutje, deputeti Mustafa përmendi edhe mosrritjen e pagave, karshi ngritjeve të çmimeve dhe jeta e qytetarëve po vështirësohet.
(E plotësuar) Kurti:S`kam premtuar liberalizim të vizave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ka reaguar për çështjen e liberalizimin e liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke thënë se nuk e ka premtuar asnjëherë.
Kurti shtoi se në muajin e ardhshme bëhen 4 vjet që Komisioni Evropian për herë të dytë ka rekomanduar heqjen e vizave, por kjo nuk po ndodh për shkak të ndonjë vendi anëtar, i cili ende refuzon.
“Unë jam kryeministër i cili asnjëherë s’ka bërë premtim me afate për heqjen e vizave për Kosovën, as në fushat as në detyrë. Keni pasur shembuj në të kaluarën, 15 muaj, sivjet, vitin e ardhshëm. Mua nuk më keni dëgjuar sepse unë e dija se ajo punë nuk varej nga ne”, tha Kurti.
“Ka nganjëherë deklarata nga Brukseli që nuk janë as në linjë me vetë Brukselin, dhe ne përpiqemi që me durim e përkushtim t’i sqarojmë ata, por nuk kemi çfarë të bëjmë më shumë se kaq”, tha Kurti.
Ai më tej shtoi se sa i përket programit të NATO-s për Partneritet dhe Paqe ne kemi marrë pjesë në “Defender Europe 21” vitin e kaluar me 330 ushtarë, kemi qenë në mesin e 16 vendeve mikpritëse, do të marrim pjesë edhe në Defender Europe 23”.
“Në aspektin ndërkombëtar i plotësojmë të gjitha kërkesat dhe nevojat si kontribues në sigurinë globale. Ajo çfarë bëjë unë për mbrojtjen e vendit dhe ushtrinë e Kosovës është se e rrisim buxhetin për 52%, mirëpo se kur do të na pranojnë, ku e si në masë të konsiderueshme e dini që nuk varet prej neve”, deklaroi kryeministri Kurti.
(E plotësuar) Hoxhaj: Kryeministri të mos prodhojë lajme, por politikë
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës fjalën e mori edhe deputeti nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili foli për angazhimet politike të kryeministrit Kurti.
Ai përmes diskutimit të tij propozoi kryeministri Kurti që “të gjitha institucioneve të BE-së dhe të gjitha shteteve anëtare t’ju dërgohet një shkresë zyrtarisht se Kosova i ka plotësuar nga viti 2018 kriteret për liberalizim të vizave”.
Duke shtuar me pikat tjera të propozimeve “si PDK dhe si Kuvend e kemi mbështetur kryeministrin lidhur me luftën në Ukrainë dhe qëndrimin që kemi mbi Rusinë, por fakti që në samitin e fundit të NATO-s nuk jemi ftuar të jemi aty, që dëshmon se kjo qeveri duhet të lëvizë, të kryej punët që i përkasin”, deklaroi tutje Hoxhaj.
Pastaj shtoi edhe një çështje tjetër “se tabela ku duhet të luftojë Republika e Kosovës është anëtarësimi i Kosovës në OKB. Aty duhet ngritur tabela e Kosovës e aty varet se si luftojmë reciprokisht me Serbinë. E kjo mund të ndodhë kur kryeministri heq dorë prej të bërit lajm në të bërit politikë”, përfundoi fjalimin e tij, Enver Hoxhaj.
Peci:Demonstrojmë vullnet politik për luftimin e korrupsionit
(E plotësuar) Armend Zemaj, deputet nga radhër e LDK-së pyeti ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, duke përmendur edhe një rast korruptimin nga anëtari i LVV për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ministri Peci tha se për akcizën ka folur edhe në javën e shkuar se bujqit marrin akcizën për naftën e harxhuar për përdorim për nevoja të bujqësisë.
"Për herë të parë fermerët e Kosovës marrim,kompensim për naftën, çdo fermer që punon një hektar tokë kompensohet me 54 euro, në bazë të akcizës në vend, sipas praktikave të rajonit dhe vendet e BE-së”, deklaroi ministri Peci.
Ai sqaroi mënyrën e veprimit për t’i ikur keqpërdorimeve dhe abuzimeve.
Tuje ai foli edhe për arrestimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Sa i përket arrestimeve ne kemi demonstru vullnet politik, përveç që kemi edhe detyrim ligjor për t’u koordinuar me aktorët e drejtësisë”, shtoi ministri Peci.
Kadrijaj: Duhet më shumë lobim për liberalizim të vizave
KP
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka kërkuar më shumë lobim dhe avokim nga institucionet e Kosovës për liberalizim të vizave te shtetet skeptike.
“U mbajt Samiti i BE-së dhe ne fatkeqësisht u refuzuam për liberalizim të vizave, mirë që edhe kjo qeveri e pranon tash sepse derisa ishte në qeveri nuk e ka pranuar që Kosova ka përmbush kushtet dhe kriteret për liberalizim të vizave, por dua të them se cili ka qenë angazhimi konkret i qeverisë, presidencës, Kuvendit, i komisioneve parlamentare në mënyrë që t‘i vizitoj vendet skeptike për liberalizimin e vizave në mënyrë që të lobojmë. Të vetmin aktivitet e kemi pasur Shqipërinë dhe po kërkojmë prej Shqipërisë aktivitet dhe ne si komisione dhe si institucione nuk kemi qenë në nivel të detyrës sa i përket lobimit dhe avookimit për liberalizim të vizave por edhe lobimit dhe avookimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Andaj, nuk duhet kryetari i Kuvendit duhet të aktivizoheni duhet të Komisioni për Punë të Jashtme, duhet të aktivizohet komisioni për Integrime Evropian”, u shpreh ajo.
Ajo u shpreh se Qeveria e Kosovës nuk po arrin ta sjell në Kuvend për shqyrtim ligjin për diasporën, i cili mundëson trajtim të dinjitetshëm të mërgatës.
“Ne e kemi pas një ligj që është për diasporën e kemi pas në agjendë legjislaturën e kaluar nuk ka ardhur e kemi në agjendë legjislative nuk ka ardhur, çka mund të bëjmë ne tjetër kur nuk jemi në gjendje dhe nuk është qeveria në gjendje ta sjell një ligj të diasporës n]ë mënyrë që edhe diasporën tonë ta trajtojmë në mënyrë të dinjitietshme e jo ta shohim vetëm si votë dhe me i shfrytëzua sa herë që kemi nevojë.
Hoxha: VV-ja ka bërë ndërhyrje sistematike në arsim
Naser Mekolli /RTKlive
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka thënë se tashmë Lëvizja Vetëvendosje nuk proteston më për problemet brenda Universitetit të Prishtinës, por ndërhyrjet e saj në sistemin e arsimit janë sistematike.
Sipas saj, Këshilli drejtues i UP-së sot përbëhet nga anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nëse ka diçka që i bënë bashkë të gjithë bresat është ideja se arsimi është një mision kombëtar dhe përtej politik, se me arsimin nuk mundë të politizohet she nuk do të duhej të politizohej”, tha Hoxha.
Por, sipas saj shumë nga këto politizime e kanë origjinën nga Vetëvendosje e cila në 12 vitet e fondit ka filluar të etablohet në fakultet, ndërhyrjet e vetëvendosje sipas Hoxhës janë sistematike.
“Kjo e ka kthyer prapë atë pak shprese se brenda atij universiteti mund të ketë vendimmarrje e autonomi. Ideja është që të rrisin ndikimin dhe t’ia ndalin frymën universitetit me gjatë. Kësaj qeverie as arsyetimet më nuk i bien tamam”, ka thënë ajo.
Sipas saj, mënyra sesi VV-ja e ka bërë këtë skenar dëshmon shumë se për çfarë arsimi të lartë kanë folur e kanë protestuar ndër vite.
Kritika ka pasur edhe për mos përzgjedhjen e asnjë gruaje në Këshillin Drejtues të universitetit. Hoxha ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka shkelur mbi parullat dhe kanë shkundur edhe kuadrot.
Rrustemi i kërkon ndihmë opozitës për sistemin e drejtësisë
N.Mekolli /RTKlive
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi tha se reforma e gjyqësorit në Republikën e Kosovës si edhe vettingut është shumë i nevojshme. Ai kërkon që për këtë të japin kontributin e tyre edhe partitë politike në opozitë si dhe institucionet relevante.
“Është thelbësore që në çështjet jetike për vendin tonë, siç është edhe drejtësia, duhet që të jemi të gjithë së bashku për të arritur një qëndrim të qëndrueshëm të sistemit të drejtësisë dhe eliminimin e problemeve të theksuar në disa raporte vendore e ndërkombëtare”, tha ai.
Sipas Rrustemit, në drejtësi duhet të japin kontributin e tyre maksimal së bashku pozitë e opozitë për të siguruar një proces dhe reforma efikase.
“Kthimi i besimit të qytetari në sistemin e drejtësisë dhe garantimi i një sistemi të paanshëm e të pavarur është obligim për secilin prej nesh”, tha ai.
Rrushemi fton të gjitha institucionit e vendit që të ndihmojnë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në vend.
Nis seanca e Kuvendit, shqyrton 9 pika
Naser Mekolli /RTKlive
Nis seanca plenare e Kuvendit të Kosovës plenare ku janë parashikuar të shqyrtohen nëntë pika të rendit të ditës. Pika e katërt e rendit të ditës, që pritet të sjellë debat të fortë mes pozitës e opozitës është: “Debat parlamentar për masat që duhet të ndërmerren për të ndihmuar qytetaret të përballen me rritjen e çmimeve në produktet esenciale”.
Pikat e tjera të rendit të ditës janë edhe shqyrtimi i raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2021, i cili pritet të sjellë gjithashtu kundërshtime mes partive parlamentare.
Ndër pika të tjera të rendit të ditës janë edhe shqyrtimi i mocionit për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesat e Mediave.
Kuvendi i Kosovës mban sot seancë, shqyrton 9 pika
Jeton Musliu / RTKlive
Kuvendi i Kosovës mban sot seancë plenare ku janë parashikuar të shqyrtohen nëntë pika të rendit të ditës.
Pika e katërt e rendit të ditës, pritet të sjellë debat të fortë mes pozitës e opozitës.
E kjo pikë është: “Debat parlamentar për masat që duhet të ndërmerren për të ndihmuar qytetaret të përballen me rritjen e çmimeve në produktet esenciale”.
Pikat e tjera të rendit të ditës janë edhe shqyrtimi i raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2021, i cili pritet të sjellë gjithashtu kundërshtime mes partive parlamentare.
Ndër pika të tjera të rendit të ditës janë edhe shqyrtimi i mocionit për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesat e Mediave.























