Kurti bisedoi për procesin e vetingut me Selim Selimin e AAK-së
BKT
Lajme

Kurti bisedoi për procesin e vetingut me Selim Selimin e AAK-së

F.Sertolli / RTKlive.com

Lidhur me procesin e vetingut në drejtësi, Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti, është takuar me z.Selim Selimin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Në takimin e përbashkët me Ministren e Drejtësisë, znj.Albulena Haxhiu dhe Zëvendësministren znj.Nita Shala, Kryeministri Kurti foli për hapat e mëtejmë lidhur me këtë proces dhe rëndësinë e koordinimit të përbashkët, pas opinionit të pranuar nga Komisioni i Venecias”, thuhet në njoftim për media nga zyra e kryeministrit.

Tutje vazhdon njoftimi se me qëllim të përfshirjes së gjithë akterëve, Kryeministri Kurti u ka bërë ftesë krerëve të partive parlamentare të opozitës: Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Kryeministri dje është takuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, z.Memli Krasniqi. Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se kontributin e tyre për këtë çështje do të japin në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Takime të këtilla, sipas kryeministrit, me qëllim të koordinimit të mëtejmë do të vazhdojnë edhe me partitë politike të komuniteteve të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Koncept Dokumentin për zhvillimin e procesit të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë, si dhe ka përgatitur draftin e amendamenteve kushtetuese dhe projektligjin për vetingun në sistemin e drejtësisë. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, respektimin e standardeve evropiane, si dhe të drejtat e njeriut, Ministria e Drejtësisë, kishte dërguar kërkesë në Komisionin e Venecias, me qëllim të dhënies së opinionit për Koncept Dokumentin për vetingun në sistemin e drejtësisë dhe draftin e amendamenteve kushtetuese. Më datë 17 qershor 2022, Komisioni i Venecias ka miratuar Opinionin për Vetingun”, përfundon njoftimi.

Kryeministri Kurti takon përfaqësuesit e AAK-së, flasin për vettungun

Në takim me kryeministrin Kurti për Vetingun, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është përfaqësuar nga ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ku u paraqit qëndrimi që e jep përkrahje këtij procesi.

“Sidoqoftë, AAK nuk ka besim që procesi të ketë sukses pa konsensus të plotë të brendshëm politik, pa përfshirjen e KGJK dhe KPK, pa mbështetjen e ShBA dhe BE dhe pa përfilljen në përpikëri të qëndrimeve të Komisionit të Venedikut”, thuhet në një komunikatë të AAK-së.


MË SHUME NGA Lajme