Vendimet e Qeverisë së Kosovës, ia ndryshojnë planet Lajçakut
Jeton Musliu / RTKlive
Nga Beogradi ku ndodhet për vizitë, pasi qëndroi për tri ditë në Prishtinë, emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, foli për vendimet e fundit të qeverisë së Kosovës.
Ai deklaroi se vendimi i Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë, sa i përket kalimit kufitar me letërnjoftime, ku nga 1 korriku, shtetasve të Serbisë që hyjnë në Kosovë, do t’u jepet letra sikurse që vepron Serbia, për letërnjoftimet e Kosovës, ka ndryshuar temat dhe planet e vizitës së tij.
“Kemi pasur diskutim shumë serioz mbrëmë për situatën dhe sigurisht duhet të shikojmë për zgjidhje nëpërmjet dialogut dhe jo konfrontimeve”, ka thënë Lajçak, duke mos dashur t’i komentojë për media serbe, kërcënimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas Lajçakut, vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, ia kanë ndryshuar planet e vizitës në rajon dhe se sipas tij, tanimë është situatë e re.
“Kam ardhur në rajon për ta përgatitur takimin e ardhshëm të liderëve dhe të flas për progresin dhe normalizimin e raporteve dhe tani duhet të zgjidhim këtë situatë. Nuk duhet të lejojmë të ketë krizë”, ka thënë ai.
Para vizitës në Beograd, Lajçaku ishte në Prishtinë. Ai të mërkurën u shpreh optimist për takim mes krerëve të Kosovës dhe të Serbisë para pushimeve të verës.
Qeveria e Kosovës vendosi që të nisë me zbatimin e masës së reciprocitetit për letërnjoftimet e shtetasve serbë që hyjnë në Kosovë. Qeveria po ashtu u ka dhënë edhe një mundësi pronarëve të automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia.
Sipas vendimit,ata që kanë automjete me targat “PR”, “KM” e të ngjashme, mund t’i regjistrojnë automjetet e tyre me targa RKS nga 1 korriku deri në fund të muajit shtator.























