Krasniqi: Votuesit e Tërnocit, dje treguan vendosmëri
F.Sertolli / RTKlive.com
Kreu i partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar Shaip Kamberin i cili në zgjedhjet e djeshme ka arritur ta fitoj mandatin për deputet në Kuvendin e Serbisë.
Krasniqi shkroi në faqën e tij në Facebook se përkundër përpjekjeve të shumta të sistemit për ta penguar, Shaip Kamberi ka arritur që të fitoj mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë.
“ Kjo, falë votuesve të Tërnocit, të cilët, posaçërisht dje, treguan vendosmëri, mobilizim dhe atdhedashuri duke e votuar Shaipin. Jam i bindur se me Shaipin si përfaqësues të tyre, shqiptarët do të vazhdojnë të kenë një zë të fuqishëm në Kuvendin e Serbisë. Si Kryetar i PDK-së, si parti, do të jemi afër Shaipit dhe shqiptarëve të Luginës kudo dhe kurdo që është nevoja”, shkroi Krasniqi në profilin e tij në Facebook.
Urime Shaip, urime shqiptarë.

Shaip Kamberi flet si deputet, zotohet para shqiptarëve
KP
Shaip Kamberi është rizgjedhur deputet në Kuvendin e Serbisë. Kjo vetëm pas përsëritjes së zgjedhjeve në një shkollë në Tërnovc të Bujanocit. Menjëherë pasi u kuptua për rezultatin, Kamberi tha se përkundër politikës dhe veprimeve penguese të pushtetit serb, shqiptarët nuk mbeten pa deputet në parlamentin e ri të Serbisë.
Ai tha se kjo falë vullnetit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe punës së palodhshme të aktivistëve dhe simpatizuesve, atyre të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës e përkrahjes së madhe nga kudo ku përqafohen vlerat e demokracisë liberale.
“Përgjegjësitë janë të mëdha. Problemet janë të shumta. Konteksti është i vështirë. Por me punë dhe unitet do t'ia dalim. Zotohem se do të jem deputet i të gjithëve. Zotohem se do t’i mbrojë interesat e qytetarëve që duan të drejta dhe mirëqenie. Interesat e shqiptarëve të shtypur dhe të diskriminuar. Zotohem se do ta ndjek politikën e orientimeve pro-perëndimore, për paqe të qëndrueshme në rajon”, deklaroi Kamberi.
Gjatë ditës së enjte, në Tërnovc u mbajtën zgjedhjet për herë të pestë pasi për shkak të parregullsive u urdhërua përsëritja.























