Murati u kërkon falje veteranëve të UÇK-së
Emine Hoti/RTKlive
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u ka kërkuar falje të gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjeve të tyre lidhur me një status që kishte bërë para disa viteve për veteranët.
Në postimin e tij në Facebook, Murati ka thënë se gjuha që ka përdorur ka qenë e gabuar, por që nuk ka pasur synim ofendimin e ushtarëve dhe dëshmorëve.
Murati ka shkruar se i përulet sakrificës së secilit dëshmorë e kontributit të secilit ushtarë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ky është qëndrimi im”, ka shkruar ai, duke shtuar se shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive.
“Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve. E pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre", ka shkruar Murati.























