Meta kujton 2 korrikun ’90: Liria ndërtohet mbi guximin
Shqipëri

Meta kujton 2 korrikun ’90: Liria ndërtohet mbi guximin

ATSH

Presidenti Ilir Meta kujtoi sot 2 korrikun 1990, kur shqiptarët thyen izolimin e diktaturës për t’i dhënë vendit një drejtim të ri dhe të pakthyeshëm.

“Liria ndërtohet mbi guximin! Mirënjohje Ylli Bodinakut dhe të gjithë shqiptarëve, që në emër të lirisë, demokracisë dhe të një Shqipërie si gjithë Europa, thyen me heroizëm më 2 korrik 1990 izolimin e diktaturës për t’i dhënë vendit një drejtim të ri dhe të pakthyeshëm”, u shpreh Presidenti.

Meta tha se “rrugëtimi drejt Europës që nisi me guximin për të rrëzuar murin e ambasadës gjermane, duhet përshpejtuar me vendosmërinë për të shkuar drejt anëtarësimit të plotë në BE”.

“Ndërtimi i një të ardhmeje shumë herë më të mirë se tre dekadat që kaluan pas ‘Ngjarjeve të Ambasadave’ garantohet vetëm nëse zbatojmë në mënyrë të vendosur reformat e kërkuara, rikthejmë llogaridhënien në çdo nivel dhe dëgjojmë zërin e qytetarëve nëpërmjet referendumeve. Që kjo rrugë të jetë e shpejtë është vetëm në dorën tonë!
Koha për të ndërtuar Europën në Shqipëri është tani”, tha ai.


APR
Romay Lift