Finlanda dhe Irlanda i mbështesin aspiratat e Kosovës drejt BE-së
Valjeta Shala / RTK
( E plotësuar, ora 10:05) Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi ka pritur në takim delegacionet nga shtetet e Finlandës dhe Irlandës, të kryesuara nga ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, znj.Tytti Tuppurainen dhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne.
Pas takimit në konferencë për media, ministrja filnadeze ka theksuar se Finlanda është mbështetëse në të gjitha aspiratat e qeverisë që Kosova të jetë pjesë e BE-së. “Jemi me shpresë që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë. E po ashtu, mbështesim fuqishëm liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka theksuar ajo.
Ndërkaq, edhe ministri i Irlandës shprehu mbështetjen për Kosovën në aspiratat në BE si dhe për dialogun me Serbinë. “Edhe pse është një rrugë e vështirë për pajtim, çdo marrëveshje ka kompromise nga dy palë. Ne e vlerësojmë marrëveshjen për energjinë. Ne duhet të punojmë së bashku për interesat tona të përbashkëta”, ka thënë Byrne.
Kurti pret në takim delegacione nga Finlanda dhe Irlanda
A.Bela / RTKlive
(E plotësuar, ora 08:10) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim delegacione nga shtetet e Finlandës dhe Irlandës, të kryesuara nga ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, znj.Tytti Tuppurainen dhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne.Takimi i Kurtit me dy delegacionet zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë dhe fillon në ora 09:55.
Bislimi do të takojë delegacionet nga Finlanda dhe Irlanda (Ora, 06:46 )
Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi sot pret në takim delegacione nga shtetet e Finlandës dhe Irlandës, të kryesuara nga ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, znj.Tytti Tuppurainen dhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne.
Zyra për Komunikim Publik, njofton se pas takimit i cili mbahet në ndërtesën e qeverisë do të ketë konferencë të përbashkët për media.























