Shtyhet gjyqi i Apelit për deputetin e PD-së,Salianji të çështjes "Babalja"
Shqipëri

Shtyhet gjyqi i Apelit për deputetin e PD-së,Salianji të çështjes "Babalja"

Denion Ndrenika/RTK

Në Gjykatën e Apelit në Tiranë u shty seanca kundër deputetit të Partisë Demokratike opozitare, Ervin Salianji për të njohurën si çështja "Babale", që lidhet me audiopërgjimin e pretenduar të përfshirjes në narkotrafik të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm socialist Fatmir Xhafaj.

Seanca u shty për në datën 18 korrik, ora 14 pasi anëtarja e tretë e trupës gjykuese, Elona Toro mungoi me dyshimet se është prekur nga Koronavirusi.

Deputeti Salianji u dënua me 1 vit burg për shpifje nga Gjykata e Shkallës së Parë, pasi nuk u vërtetua autenticiteti i zërit të vëllait të ministrit Xhafaj, Geron (Agron) Xhafaj në një bisedë me shtetasin Albert Veliu me nofkën "Babalja".

Ky shtetas sipas autoriteteve inskenoi një bisedë për trafik droge me vëllanë e ministrit të Brendshëm të kohës, për të cilin kishte akuza se ndryshoi Kodin Penal për ta shpëtuar atë (vëllanë, Geronin) ndërsa ishte në detyrë si kryetar i Komisionit të Ligjeve të Kuvendit.

Të paktën dhjetë deputetë demokratë u panë në sallën e gjyqit, raporton korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.

Vëllai i ministrit, Geron (Agron) Xhafaj ka qenë i dënuar nga Gjykata e Leçes në Itali me 7 vjet e dy muaj burgim më 12 tetor 2008 dhe u la në fuqi nga Gjykata e Apelit po në Leçe më 25 janar 2011 me akuzën e narkotrafikut.

Deputeti Salianji tha në 2018 se Geron (Agron) Xhafaj sipas audiopërgjimit konfirmohej si narkotrafikut.

Albert Veliu "Babalja" pasi publikimit të incizimit u largua për në Kosovë.

“Organet ligjzbatuese kanë dijeni për aktivitetin kriminal të Agron Xhafajt si drejtues i një organizate kriminale që kontrollon trafikun e drogës. Në të kaluarën, bashkëpunëtori X dhe Agron Xhafaj kanë punuar së bashku në trafikun e drogës, por kur bashkëpunëtori X u dënua me burg në Itali, Agron Xhafaj, nuk u interesua kurrë për të”, - tha deputeti Salianji për gazetarë asokohe bashkë me kolegët Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj.


APR
Romay Lift