Rama: “Ballkani i Hapur” zgjeron tregun, transport pa pengesa në rajon
Shqipëri

Rama: “Ballkani i Hapur” zgjeron tregun, transport pa pengesa në rajon

ATSH

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Holanda, se “Ballkani i hapur” siguron një treg pa pengesa në një hapësirë prej 20 milionë banorësh.

Kryeministri Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj zhvilluan sot një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit holandez që operojnë aktualisht në Shqipëri, si edhe me investitorë të tjerë, të interesuar për të zgjeruar aktivitetin e tyre në vendin tonë.

“Madhësia e tregut ka shumë rëndësi dhe ajo që po bëjmë përmes ‘Ballkanit të hapur’ është pikërisht kjo. Po e zgjerojmë tregun dhe po sigurojmë një transport tërësisht pa pengesa në këtë treg që shkon përtej 3 milionëve që jemi ne dhe që shtrihet për të mbërritur në gati 20 milionë njerëz”, tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se gjërat do të ndryshojnë nga ndërtimi i Portit të Durrësit dhe aeroporteve dhe porteve të tjera të reja.

“Porti do të ndryshojë gjërat, aeroportet e reja do të ndryshojnë gjërat. Por vijmë nga shumë pas. Duke folur për rajonin imagjinoni vetëm diçka, bazuar në të dhënat e Bankës Botërore koha e pritjes për kamionët në Ballkan për të shkuar nga një vend në tjetrin në një vit ishte 1100 vjet në orë. Kështu që ky nuk është treg, është një hapësirë shumë e bllokuar. Por tashmë po ndryshon, janë hapur korsitë e gjelbra dhe po ecim para në këtë drejtim”, tha Rama.


APR
Romay Lift

MË SHUME NGA Shqipëri