Nis protesta e opozitës në Tiranë, qindra qytetarë para Kryeministrisë
rtsh.al
Me moton “Për Shqipërinë në Rrezik” me qindra qytetarë janë mbledhur para Kryeministrisë në Tiranë. Protesta e thirrur nga PD, ka kërkuar daljen e qytetarëve për të kundërshtuar rritjen e çmimeve dhe shpopullimin, ku sipas opozitës faktor është qeveria.
Sali Berisha, kreu i PD i zgjedhur nga procesi i zhvilluar nga Rithemelimi, e ka cilësuar këtë tubim si fillimin e rrëzimit të regjimit të Ramës.
Protesta ka nisur në orën 19.00 dhe do të zgjasë deri në orën 21.00, ku pritet që të mbajnë fjalën qytetarë, deputetët të PD dhe Sali Berisha.
Protesta është paralajmëruar që do të jetë paqësore, ndërsa policia ka vënë në gatishmëri mbi 1000 efektivë për të siguruar mbarëvajtjen e saj.
Kryeministria ka blinduar dyert e saj që një ditë më parë, ndërsa në gatishmëri do të qëndrojnë autobotet me ujë për shpërndarjen e turmave në raste dhune si dhe njësi nga shërbimi zjarrfikës dhe shëndetësor.
Në kuadër të protestës janë bllokuar disa segmente rrugore si Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Rruga "Gjergj Fishta", Bulevardi "Bajram Curri", Bulevardi Zhan D'Ark.























