Tiranë, 2 orë para Kryeministrisë, mbyllet pa incidente protesta e PD-së
rtsh.al
Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, ka përfunduar pas 2 orësh protesta paqësore para Kryeministrisë e thirrur nga kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha.
Me qindra qytetarë u mblodhën para Kryeministrisë në orën 19:00, ndërsa protesta nisi me këngë nga Renis Gjoka dhe Big Basta, duke vijuar më pas me fjalime deputetësh e aktivistësh.
Kësaj proteste iu bashkua edhe LSI, ku mbajti fjalën e saj edhe kryetarja e kësaj partie, Monika Kryemadhi. Të pranishëm krah Berishës ishin edhe deputetët e rreshtuar si kritikë të tij, si Grida Duma, Xhelal Mziu, Dashamir Sula, Dhurata Çupi, Dashamir Shehi, Agron Shehaj, por edhe “besnikja” e tij, Jozefina Topalli.
Protesta kulmoi me fjalimin e Berishës, i cili nuk i kurseu akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të largohet nga pushteti. Po ashtu ai paralajmëroi edhe vijim të protestave, teksa u kërkoi qytetarëve që t’i bashkohen në javët në vijim në aksionin për rrëzimin e Ramës nga pushteti.
























