Presidentja Osmani dekreton 48 gjyqtarë të rinj
Emine Hoti/RTKlive
Në pajtim me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot 48 gjyqtarë të rinj.
Kështu ka njoftuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK).
Duke u bazuar në ligjet në fuqi, kandidatët për gjyqtarë para se të dërgohen tek Presidentja për emërim, i janë nënshtruar procesit të zgjedhjes, proces të cilin e ka udhëhequr KGJK.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, iu uroi mirëseardhje gjyqtarëve duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me gjyqtarët me qëllim të forcimit të sistemit gjyqësor.
Zogaj ka kërkuar nga gjyqtarët e rijnë përkushtim dhe angazhim sa më të lartë.
“Me këtë përbërje të sistemit gjyqësor, së bashku do t' i japim një kthesë të rëndësishme sistemit gjyqësor brenda një periudhe të shkurtër sepse na presin sfida të mëdha, mirëpo nuk kam dilemë se të gjithë ju do të bëni një punë të mirë”, tha mes tjerash Kryesuesi Zogaj.
Gjyqtarët e rinj të emëruar sot, do të shpërndahen nëpër shtatë (7) gjykatat themelore të Republikës së Kosovës.























