Muja: Seanca e radhës mbahet të enjten, duhet konsensus për drejtësi
BKT
Lajme

Muja: Seanca e radhës mbahet të enjten, duhet konsensus për drejtësi

Blerim Halimi / RTKlive

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka vendosur që seanca e re të mbahet të enjten, me pikat e papërfunduara. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.

“Është vendosur seanca të enjten e radhës, ku janë disa pika që vazhdojnë. Dy projektligje parashihen në këtë seancë, Projektligji për deklarimin e pasurisë dhe skemës së granteve komunale të bazuara në performancë, si dhe marrëveshja ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Këto janë zhvillime për seancën e ardhshme. Gjithashtu pat edhe diskutime tjera në frymën e koordinimit ose përmirësimit të komunikimit sa i përket konsensusit në lidhje me ligjet që kanë të bëjnë me drejtësinë“, ka theksuar Muja.

Ai ka thënë se ekziston përkushtimi i VV-së, e të cilin sipas tij e ka shprehur në shumë raste edhe kryeministri Albin Kurti, po edhe kryepalamentari Glauk Konjufca që për çështjet që ndërlidhen me drejtësinë të ketë konsensus.

"Janë vendime të rëndësishme që shoqëria mendon që ka nevojë për reforma. Në anën tjetër ka droja, prioritete, por është edhe konsensus edhe i partnerëve ndërkombëtar, por edhe i shoqërisë civile që ka nevojë të punohet në këtë sektor me urgjencë”, ka shtuar Muja.

PDK kërkon që mjekët dhe profesorët të largohen nga Projektligji i Deklarimit të Pasurisë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka theksuar se kanë kërkuar që mjekët dhe profesorët të largohen nga Projektligji për deklarimin e pasurisë.

“Kërkesë e PDK-së ishte që nga projektligji për Deklarimin dhe Prejardhjen e Pasurisë, i cili pritet të jetë në seancë në lexim të dytë, të largohen nga kategoritë e zyrtarëve mjekët dhe profesorët dhe kjo të trajtohet në seancën e radhës plenare", ka theksuar Deliu-Kodra.

Sipas saj, meqë ky projektligj nuk i ka marrë votat e mjaftueshme të deputetëve, PDK ka kërkuar që ketë një lexim të tretë.

"Këto dy kategori nuk janë të ekspozuara ndaj korrupsionit duhet të largohen nga projektligji sepse është barrë e madhe edhe për Agjencinë kundër korrupsionit dhe në këtë mënyrë e bëjmë një zgjidhje. Shpresojmë se në vazhdimin e seancës të adresohet kjo kërkesë e PDK-së”, ka theksuar Deliu-Kodra.

Ndërkaq, sa i përket dështimit të votimit të projektligjeve dhe mospjesëmarrjes së së PDK-së, ajo ka thënë se në radhë të parë aty duhet të ketë një prezencë të deputetëve të mazhorancës.

“Ju e keni parë se në shumicën e seancave parlamentare mazhoranca po dështon t’i votojë projektligjet. Ka raste kur ne kemi pasur hezitimet tona dhe nuk i kemi mbështetur projektligjet me kërkesat tona specifike për t’i trajtuar dhe ka pasur edhe kundërshtitë e saj. Por, do të duhej që të ketë më shumë vullnet politikë të kësaj shumice parlamentare në Kuvend dhe të mos dështojnë votimet e projektligjeve siç ka ndodhur në ditët e kaluara.


MË SHUME NGA Lajme