Gërvalla: BE të hapë rrugën e integrimit për Ballkanin Perëndimor
RTK
Kryediplomatja Donika Gërvalla po merr pjesë në Samitin e Dubrovnikut prej ku i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të hapë rrugën e integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Madje Gërvalla theksoi se BE nuk duhet të presë një luftë tjetër sikurse ajo e Ukrainës për të bërë një gjë të tillë.
Edhe emisari special i BE-së për Ballkanin, Miroslav Lajçak, tha duhet të kryhet puna e papërfunduar kur bëhet fjalë për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë Frumit të Dubrovnikut ka thënë se Bashkimi Evropian duhet ta kryejë punën e papërfunduar kur bëhet fjalë për integrimin e Ballkanit Perëndimor. Lajçak ka shkruar në Twitter, se lufta në Ukrainë ka ndryshuar gjithçka dhe e ka kthyer sërish në çështje politike zgjerimin e BE-së.
“Për kohë të gjatë, ne ishim të vetëkënaqur. Kjo s’mund të vazhdojë më. Ne duhet ta përfundojmë punën tonë të papërfunduar kur bëhet fjalë për integrimin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar emisari i BE-së. Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se 3 ose 4 marrëveshje janë gati mes dy shteteve dhe se pret që ato të finalizohen ‘së shpejti’.
Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në këtë samit ka thënë se Bashkimi Evropian nuk duhet të presë një tjetër luftë në Ballkan për t’ hapur rrugë integrimit evropian, siç bëri me Ukrainën me dhënien e statusit të kandidatit për pranim në BE tek pasi nisi pushtimi nga Rusia.
Në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, Gërvalla ka thënë se tashmë shtetet e Ballkanit perëndimor kanë dëshmuar se janë kontribuuese të jashtëzakonshme me vlera të përbashkëta në Bashkimin Evropian. Edhe ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliq Radman, i ka bërë thirrje edhe një herë Serbisë ta pranojë realitetin që Kosova është shtet i pavarur.
Gjatë fjalimit të tij në Forumin e Dubrovnikut, Radman u shpreh se Kroacia është aktive në dërgimin e mesazhit për pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, duke theksuar se është shumë e rëndësishme të njihet pavarësia e Kosovës nga e gjithë BE-ja.























