Shqipëria përkujton sot Gjenocidin e Srebrenicës
/rtsh.al/
Bosnja përkujton sot (11 korrik) 27-vjetorin e masakrës serbe në Srebrenicë, një prej masakrave më të rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Më 7 korrik, Parlamenti shqiptar miratoi Rezolutën "Për Përkujtimin dhe Nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë", e cila dënon pandëshkueshmërinë ndaj krimeve të luftës, që shkel mbi dinjitetin e më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Sreberenicë. Po ashtu, rezoluta e miratuar në Kuvend shpalli 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.
Gjenocidi i Srebrenicës është një krim lufte i ndodhur në korrik të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, ku forcat serbe vranë më shumë se 8 mijë boshnjakë myslimanë, kryesisht burra dhe djem të moshës 12 deri 77-vjeç në eklavën e Srebrenicës që ishte caktuar si "vend i sigurt" nga Kombet e Bashkuara. Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende në zonë gjendjen varre masive. Më 11 korrik të çdo viti, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën Përkujtimore të Potoçarit.























