IKSHPK sqaron rreth rasteve që kërkuan ndihmë mjekësore për helmim
BKT
Lajme

IKSHPK sqaron rreth rasteve që kërkuan ndihmë mjekësore për helmim

Valbona Thaçi/RTKlive

(E plotësuar) Pas marrjes së informatës nga drejtoresha e DSHMS të Hanit të Elezit se nga nata e mbrëmshme mbi 100 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF të Hanit të Elezit, ekipa e Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike ka dalë në terren dhe është informuar se pjesa dërmuese e këtyre personave janë nga fshati Gorancë dhe pjesa tjetër nga fshatrat Glloboçicë dhe Seqishtë.

Personat që janë paraqitur kanë simpotmat e njëjta: barkqitje, vjellje, temperaturë. Dyshimet e drejtoreshës së DSHMS dhe asaj të QKMF bazohen në faktin se dukshëm është shtuar numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore nga fshati Gorancë që nga data 28 qershor kur edhe është lëshuar në përdorim edhe një burim i ri i ujit të pijshëm për të cilin dyshohet se është i kontaminuar.

Ky burim së bashku me atë paraprak derdhen në të njëjtin rezervoar. Pjesa tjetër e banorëve të fshatit Seqishtë furnizohen me ujë nga burimi i Glloboçicës. Ekipet në terren janë informuar se burimi i fshatit Gorancë nuk monitorohet nga KRU-Bifurkacioni, ndërsa ai i Glloboçicës po. Mostrat e ujit të marra gjatë ditës së sotme për analizë fiziko-kimike përveç turbullirës në dy raste rezultojnë brenda parametrave normalë.

Janë marrë. po ashtu. mostrat e ujit edhe për analizë bakterore, ndërsa ekipi i Epidemiologjisë së bashku me ekipen e DSHMS të Hanit të Elezit janë në terren duke anketuar personat të cilët janë paraqitur në QKMF.

 

Në Han të Elezit helmohen 100 persona

Dyshohet se rreth 100 persona janë helmuar nga uji i pijshëm në Han të Elezit.

Lajmin e ka konfirmuar për RTK kryetari i kësaj komune, Mehmet Ballazhi, i cili tha se personat, që dyshohet se janë helmuar, kanë marrë trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare të kësaj komune.

Sikundër njofton gazetari i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Driton Ramadani, nga vendi i ngjarjes, në fshatin Gorancë kanë qenë përfaqësuesit e IKSHP-së, të cilët kanë marrë të gjitha mostrat për të dalë me rezultate se mos këto simptoma kanë ardhur nga konsumimi i ujit.

Në ndërkohë është apeluar te banorët e fshatit Gorancë që të mos e konsumojnë këta ujë dhe të gjejnë alternativa të tjera të konsumimit të ujit.


MË SHUME NGA Lajme