Kojiq, Alija dhe Sabanoviq rrëfejnë tmerrin e Srebrenicës në “Info Plus”
BKT
Lajme

Kojiq, Alija dhe Sabanoviq rrëfejnë tmerrin e Srebrenicës në “Info Plus”

Në Bosnje e Hercegovinë sot shënohet 27-vjetori i masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër konsiderohet si më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Rezo Kojiq nga komuniteti boshnjak në Kosovë, ka thënë në emisionin “Info  Plus”në RTK se në shenjë të kujtimit për përvjetorin e masakrës së Srebrenicës, kanë organizuar aktivitete të ndryshme në gjithë territorin e Kosovës,si në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe në Mitrovicë.

 “Tash e katër vite ne së bashku me organizatat e shoqërisë cilivile dhe Fondin për të Drejtën Humanitare dhe Iniciativën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut bëjmë aktivitete për sensibilizimin e masakrës në Srebrenicë. Këtë vit kemi pasur marshe paqësore që organizohen në shenjë të vdekjeve të popullsisë së pafajshme civile, kur e dimë që një numër i konsiderueshëm i meshkujve është vrarë. Ky përvjetor i është dedikuar nënave të Sebrenicës, dhe ne si OJQ i jemi bashkuar vullnetarisht këtij aksioni duke dërguar fotografi të shamive”, ka thënë ai.

Ndërsa, Shasine Alija, politologe nga Bosnja, luftën atje e ka kujtuar si një periudhë të tmerrshme ku njerëzit iknin nga armiku dhe fshiheshin nëpër pyje. Ata, sipas saj,  ishin të detyruar që t’i thërrisnin anëtarët e familjes, fëmijët e tyre që të dorëzohen kinse nuk do të ndodhë asgjë dhe pastaj të vriten.

Alija në një lidhje direkte në "Info Plus" në RTK ka thënë se kjo ka ndodhur në mesin e Evropës dhe askush nuk ka bërë asgjë.

“Ata kanë shkuar nëpër pyje të mbërrijnë në territorin e çliruar, por nuk kanë mbërritur atje. Fatkeqësisht mbi 8 mijë e shtatëqind njerëz kanë qenë të vrarë në mënyrë mizore nëpër pyjet dhe fushat e territorit të Srebrenicës. Ka qenë shumë e trishtueshme t’i përjetosh dhe t’i shohësh varrezat ku nënat e shkreta, të cilat disa as nuk kanë arritur që t’i varrosin eshtrat e fëmijëve ose të afërmeve të tyre, por ato detyrohen t’i bëjnë motrat ose familjarët të cilët ndoshta janë më të largët sepse të tjerët të gjithë kanë qenë të likuiduar”, ka kujtuar ajo.

Sipas saj, kthimi i trupave  të familjareve do t’ua lehtësonte dhimbjet atyre.

“Kanë ku të shkojnë në varreza, e dinë se ekziston emri, mbiemri dhe aty prehet një pjesë e trupit të të afërmve, fëmijës e shokut, e babait, nënës e të gjithë të afërmve .Shumë do thotë vendi ku mund ta gjesh një prehje psikike”, ka thënë ajo.

Ndërsa, edhe gazetarja nga Srebrenica, Irmela Sabanoviq në një lidhje direkte në emisionin"Info Plus" në RTK tregon për tmerrin që e ka përjetuar gjatë asaj periudhe.

“Nuk e dija se çfarë po ndodhte, nuk isha e sigurt, babai i thoshte nënës se diçka e keqe do të ndodhë. Të nesërmen i tha asaj se ne të dyja duhet të largohemi nga vendi dhe u nisëm për në Slloveni. Babai na tha se do të vinte edhe ai. Kam qajtur shumë dhe i thosha babait se duhej të vinte me ne”, rrëfen ajo.
 Ajo tregoi se babai i saj ishte i zhdukur në betejën e Srebrenicës  dhe se e ka pritur deri në vitin 2012,  derisa i  janë gjetur eshtrat.

“Atëherë gjithë shpresat e mia kanë renë në ujë. Është e vështirë  të ju tregojë fëmijëve të mij se kush ka qenë gjyshi. Shpesh fëmijët më pyesin se ku është gjyshi, ata nuk e kanë te qartë se pse është vrarë ai. Askush nuk mund te përgjigjet pse janë vrarë tetë mijë vetë në Srebrenicë”, tha ajo.


MË SHUME NGA Lajme