Batatina e Idrizi besojnë së Llapi do të përmbysë Buduçnostin
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina në konferencën për medie, një ditë para përballjes me Buduçnostin, ka thënë se skuadra e tij është e përgatitur mjaft mirë për të përmbysur rezultatin e lojës së parë.
Llapjanët dhe skuadra malazeze, do të ndeshen nesër mbrëma në ‘Fadil Vokrri’ në sfidën kthyese të Conference League.
Skuadra e Llapit në këtë duel hyn e përgatitur dhe e mobilizuar mjaft mirë për të përmbysur avantazhin e lojës së parë që flet në favor të Buduçnostit prej 2-0.
Tekniku i llapjanëve është i bindur se nesër do të jetë një ndeshje siç i ka hije futbollit shqiptarë. Batatina beson se Llapi do të kalojë në rrethin tjetër të garave në Conference League.
“Është një ndeshje e veçantë pasi kemi ndeshjen e dytë, kthyese dhe shpresojë së ne i kemi marrë të gjitha masat si ekipe dhe do të japim maksimumin në çdo aspekt, duke filluar nga aspektin organizativ, pjesa taktike, pjesa mentale e cila është shumë e rëndësishme në këtë ndeshje. Besoj se ne si ekipe i kemi marr masat e duhura që të japim maksimumin në çdo aspekt. Shpresoj se nesër do të jetë një ndeshje çfarë i ka hije futbollit vendor, Superligës tonë, skuadrave tona shqiptare dhe të bëjmë një paraqitje dinjitoze në mënyrë që të arrijmë objektivat të cilat i kemi në vazhdimësi”, tha Batatina.
Ai thotë së stadiumi ‘Fadil Vokrri’ nesër do të jetë i mbushur më tifozët nga gjitha trojet shqiptare.
“Ajo që është madhore për të cekur për nesër është së do të jetë një tifozëri të cilën ende s’e kemi parë nga gjitha trojet shqiptare. Do të thotë është hera e parë që të gjitha tifo-grupet bëhen bashkë për të përkrahur një skuadër shqiptare, kjo mendoj se është bukuria e futbollit shqiptare”, ka thënë Batatina.
Kapiteni Idrizi: Nesër luajmë ndeshjen jetike
Optimist për përmbysjen e rezultatit kundër Buduçnostit, është shprehur edhe kapiteni Bujar Idrizi.
“Ne jemi të përgatitur maksimalisht. Kemi punuar gjatë gjithë javës për këtë ndeshje. Mendoj se është një ndeshje jetike për skuadrën Llapit. Duhet të hyjmë në këtë ndeshje pa presion, sepse kemi një rezultat jo të favorshëm për ne, por shpresoj se do të kalojmë sa më mirë nesër”, tha Idrizi.
Ndeshja Llapi-Buduçnosti nis në orën 20:00.























