Hoti:Nga sot mund të vaksinohen fëmijët 5-11 vjeç (E plotësuar)
Muharrem Miftari/RTKlive
Lidhur me situatën me pandeminë në vend, ka reaguar edhe dr. Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë.
Ai theksoi se gjendja është sikundër është paralajmëruar dhe pritur, kemi një rritje të rasteve me COVID-19, ngase kështu është edhe në vendet tjera, që mund të shkaktohet edhe për shkak të mutacionit të koronavirusit, por edhe të lëvizjeve të njerëzve.
Ai më tej njoftoi për gjendjen momentale në Klinikën infektive nga koronavirusi, duke bërë thirrje qytetarët që të vaksinohen.
“Është arma e vetme për ta luftuar këtë infeksion”, tha dr. Hoti për Info Plus.
“Përqindja më e madhe në vendet në rajon por gjithsesi më e vogël krahasuar me vendet në Evropë”, shtoi mes tjerash, dr. Hoti.
Tutje ai përmendi edhe një masë rreth 18% të popullatës që ka rezistuar kundrejt vaksinimit.
Duke folur për kritikat nga opozita për vaksinimin me COVID-19 të qytetarëve, zëdhënësi i MSh, deklaroi se pikërisht në këtë çështje opozita, siç tha ai, nuk ka kredi për ta kritikuar, ngase kemi ofruar të gjitha mundësitë qytetarëve për t’u vaksinuar, pastaj kemi formuar ekipet mobile, por edhe ekipe të veçanta për t’i vaksinuar qytetarët që nuk mund të shkonin në pikat ku organizohej vaksinimi, etj.
“Thjeshtë, në Kosovë, secili që ka pasur vullnet për t’u vaksinuar, ka pasur mundësinë që të vaksinohet”, tha dr. Hoti.
Mes tjerash ai ftoi qytetarët që lidhur me informatat mbi COVID-19 dhe vaksinimin të besojnë tek institucionet kredibile, IKSHPK-në, si dhe organizatat tjera që merren me monitorimin e shëndetësisë në Kosovë.
Më tej Hoti foli edhe për vaksinimin e grupmoshave të vogla, i cili tha se, me rekomandimin e Komitetit për Imunizim, Ministria e Shëndetësisë ka ofruar mundësinë që të bëhet vaksinimi edhe i fëmijëve të grupmoshave nga 5 deri në 11 vjeç, duke organizuar të gjitha mekanizmat për të kryer këtë proces që nga dita e sotme.
“Nga sot mund të vaksinohen edhe fëmijët të moshave nga 5-11 vjeç me vaksinën kundërkovid me dozë pediatrie në një interval pre 3 deri në tete javë për ta marrë dozën e dytë”, sqaroi zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.
(E plotësuar) Zemaj: Ministria e Shëndetësisë neglizhente në luftimin e COVID-19
Siç u bë e ditur sot nga Ministria e Shëndetësisë situata me COVID-19, nga 2376 testime janë 871 raste. Po sipas kësaj ministrie, shkalla e përqindjes së rasteve arrin në 36.65 për qind.
Ministria, po ashtu, ka njoftuar se certifikata digjitale e vaksinimit kundër COVID-19 e Kosovës është funksionale në vendet e BE-së, duke shtuar se qytetarët duhet të hyjnë në platformën e E-Kosova dhe ta shkarkojnë përsëri atë.
Lidhur me situatën e infeksionit me COVID-19, që po mbretëron tani në vend, deputeti nga radhët e LDK-së, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në “Info Plus”, deklaroi se rritja e rasteve është tepër e shpejtë dhe përqindja gjithashtu e madhe.
“Situata është shqetësuese, ngase testimet po bëhen numerikisht pak, ndërkohë që infeksionet janë të mëdha, bile ka pasur raste që kanë përfunduar me fatalitet”, deklaroi Zemaj.
Më tej ai kritikoi qasjen e Ministrisë dhe të Qeverisë në përgjithësi, ndaj kësaj situate, ndaj pandemisë por edhe ndaj sektorëve të tjerë të shëndetësisë.
“Kemi numër të ulët të vaksinimit, mungesa e dozës përforcuese tek moshat e vjetra, kanë munguar aktivitetet e Minsitrisë për sensibilizimin e situatës te qytetarët”, tha, mes tjerash, ish-ministri Zemaj.























