Rau: OSBE vlerëson bashkëpunimin me autoritete lokale (E plotësuar)
BKT
Lajme

Rau: OSBE vlerëson bashkëpunimin me autoritete lokale (E plotësuar)

Elmina Osmani/RTK

Kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri polak i Punëve të Jashtme, Zbgniew Rau, në konferencën për medie tha se qëllimi i vizitës ishte takimi me liderë institucionalë në mënyrë që të marrë informata në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe lirisë së medieve.

"Kam ardhur në Prishtinë si pjesë e vizitës sime. Shpreh mirënjohje për pritjen e sotme. Kam pasur nderin të takohem me presidenten Osmani, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, kryemisntrin Albin Kurti, ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, si dhe kam zhvilluar takim me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq ” deklaroi ministri për Punë të Jashtme të Polonisë, njëkohësisht Kryesues i Radhës i OSBE-së, Zbgniew Rau.

“Kemi diskutuar për mënyrat e ndryshme në të cilat OSBE mund të ofrojë ndihmën e saj. OSBE vlerëson bashkëpunimin me autoritetet lokale për më se 20 vjet”, tha, ndër të tjera, ministri  i Jashtëm polak, Zbgniew Rau.  

Ai falënderoi shefin e OSBE-së në Kosovë, Majkëll Davenport  (Michael Davenport) për punën e tij me përkushtim në përmbushjen e mandatit të rëndësishëm dhe të nevojshëm që ka OSBE-ja.

 “Përmes operacioneve, pranisë së saj në terren OSBE-ja kontribuon në zhvillimin e mëtejmë të një shoqërie demokratike e shumetnike”, tha Rau.

Ministri i Jashtëm polak, tutje, njoftoi për takimin e tij edhe me aktivistë të rinj që përfaqësojnë komunitete të ndryshme dhe segmente të ndryshme të shoqërisë civile në Kosovë, për të cilët tha se ishte i frymëzuar nga profesionalizmi dhe entuziazmi i tyre për të shërbyer si shtytës të ndryshimeve pozitive në vend.

Ndryshe, ai shfaqi shpresën që kjo do të kontribuojë në pajtimin në Evropën Juglindore.

(E plotësuar) Kurti e quan historike vizitën e kryediplomatit polak

Emine Hoti /RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot ministrin e Jashtëm polak, njëherit kryesues aktual i OSBE-së, Zbigniew Rau.

Ai në një postim në Twiter vizitën e ministrit Rau e ka quajtur historike.

 “Kënaqësi të mirëpresim ministrin e Jashtëm të Polonisë për një vizitë miqësore dhe historike”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Kryeministri Kurti  njoftoi se në takim u diskutua edhe avancimi i raporteve dypalëshe.

“Të lidhur me vlerat e përbashkëta të BE-së dhe luftën për liri, ne patëm një diskutim mbi paqen dhe sigurinë në Evropë dhe avancimin e marrëdhënieve dypalëshe midis vendeve tona”, ka shkruar tutje Kurti.

Rau takohet edhe me Konjufcën

Valbona Thaçi/RTKLive

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Polonisë, njëkohësisht kryesues i radhës i OSBE-së, Zbigniew Rau.

Konjufca dhe ministri Rau biseduan për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe angazhimin e Polonisë në rajon si kryesuese e radhës e OSBE-së. Po ashtu u shkëmbyen mendime rreth punës së legjislativit, progresit që ka shënuar Kosova me ndërmarrjen e reformave në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes, demokracisë, sistemit zgjedhor dhe të drejtave të njeriut, si dhe bashkëpunimin e Kuvendit me misionin OSBE-së në Kosovë, thuhet në njoftimin për media nga Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohje për mbështetjen e Polonisë dhe intensifikimin e bashkëpunimit, teksa ritheksoi se e ardhmja e Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

Konjufca dhe Rau shprehën gatishmërinë për të çuar më tej marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Polonisë. Po ashtu theksuan si çështje me rëndësi strategjike integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Në takim u vlerësua qëndrimi i Republikës së Kosovës kundrejt agresionit të Rusisë në Ukrainë.​

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Osmani: Kosova është e përkushtuar për një Evropë më paqësore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur mëngjesin e sotëm ministrin e Jashtëm polak, njëherit kryesues aktual i OSBE-së, Zbigniew Rau, me të cilin ajo u shpreh se kanë diskutuar për rolin e OSBE-së në mbështetjen e institucioneve të Republikës përgjatë dy dekadave të fundit, si dhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Në takim me ministrin Rau, presidentja Osmani diskutoi për rolin e OSBE-së në mbështetjen e institucioneve të Republikës përgjatë dy dekadave të fundit, si dhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Sipas Osmanit, Kosova ka shënuar progres në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Osmani ka theksuar se Kosova vazhdimisht është palë konstruktive dhe se procesi duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.

Përveç kësaj, me ministrin Rau, presidentja diskutoi edhe për përkushtimin e Kosovës për ta mbështetur popullin ukrainas, i cili po përballet me luftën e paprovokuar të Rusisë, për thellimin e marrëdhënieve miqësore me Poloninë, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Osmani tha se llogarisin në mbështetjen e Polonisë në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.

 “Kosova është e përkushtuar që të kontribuojë në mënyrë aktive për një Evropë më të bashkuar, më paqësore dhe më demokratike”, ka theksuar Osmani në takim me ministrin e Jashtëm polak.

Poashtu Osmani në takim me ministrin Rau ka folur edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare me të cilën përfitojnë të gjithë qytetarët pa dallim.


MË SHUME NGA Lajme