Rama: Nga amnistia fiskale përjashtohen 34 kategori
ATSH
Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se janë 34 kategori që përjashtohen nga ligji për amnistinë fiskale, duke nisur nga zyrtarë të lartë të shtetit e familjarë të tyre e deri te punonjës të administratës e policë.
Në konsultimin publik për projektligjin e amnistisë fiskale, Rama tha se “ligji ka patjetër risqe, por së pari, po bëjmë një ligj që e përmban Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”.
“Po bëjmë një ligj që krahasuar me amnistitë fiskale dhe penale të bëra në vendet e BE-së është shumë më i shtrënguar. Merreni shikoni nenet e amnistisë, është një kategori e tërë që nga presidenti dhe ish-presidentët me familjet e tyre, deputetë e ish-deputetë me familjet e tyre, ministra dhe ish-ministra me familjet e tyre, gjykatës, prokurorë, punonjësit e administratës, të tatimeve e doganave, policë me familjet e tyre e deri te zyrtarë të zgjedhur si guvernatorë, zv/guvernatorë, borde etj.”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se “janë 34 lloje kategorish që janë të përjashtuara dhe nuk kanë shans që të shkojnë dhe deklarojnë para për të përfituar nga amnistia”.
“Të gjithë subjektet e operacionit ‘Forca e ligjit’, jo thjesht të dënuar, por edhe të hetuar, edhe të dyshuar në Shqipëri dhe në Europë, nuk kanë mundësi të amnistohen. Nëse policia britanike ka një subjekt në hetim, ai subjekt nuk vjen këtu të vërë para asgjëkundi”, tha Rama.
Por, Kryeministri shtoi se “kur lexojmë kritikat kuptojmë se këtu nuk kemi të bëjmë me njerëz që kanë lexuar ligjin dhe duan të përmirësojnë ligjin, por ka të bëjë me njerëz që duan t’i thonë Shqipërisë: ‘Kjo nuk bëhet, ju nuk jeni në gjendje ta bëni këtë, nuk jeni një vend i pjekur”.
“Po të lexosh ligjin do të thuash gjëra që i ka ligji, por jo kjo nuk bëhet. Janë njerëz që nuk e kanë lexuar ligjin, sepse do të kuptonin se amnistia përfundon në momentin kur ti depoziton paratë. Në çdo moment pas depozitimit të parave, nëse ti gjendesh në kushtet e ndonjë subjekti si ato që përjashton ligji, ato para sekuestrohen”, sqaroi Rama.























