VIDEO-Anulohet konkursi për drejtor të Teatrit të Gjilanit
Asdren Agushi/RTK
Derisa po intervistohej edhe kandidati i fundit për drejtor të Teatrit të Gjilanit, konkursi u anulua me vendim të kryetarit të Gjilanit, Alban Hysenit, pasi, sipas tij, Këshilli Drejtues i Teatrit të Gjilanit është jolegjitim.
Pas të gjitha procedurave të konkursit për drejtor të teatrit të Gjilanit pak minuta para se te fillonte intervista e fundit, Sabedin Shahiqi, kryetar i Këshillit të Teatrit të Gjilanit tha se kishte ardhur kërkesë nga Drejtoria e Kulturës që me vendim të kryetarit të komunës duhej të anulohej dhe të shtyhet ky konkurs.
“Drejtori i departamentit për kulturë, rini dhe sport ka ardhë më ka takuar dhe kërkesa e tij ka qenë që të marrë vendim ta anuloj këtë konkurs me arsyen që në këtë keshill nuk ka përfaqësues nga komuna”, sqaroi regjisori Erson Zymberi, ish-drejtor i teatrit.
Konkurrentët në këtë garë thanë se është e pakuptueshme kjo situatë.
Ndërsa, sipas Xhemajl Veselit, dramaturg, kjo do të mund të evitohej lehtë sikur disa nga punëtorë të komunës, të cilët janë edhe aktorë, të ishin të angazhuar si përfaqësues të komunës.
E këtë vendim e ka arsyetuar drejtori i Kulturës, Kushtrim Zeqiri.
“Ky këshill nuk ka qenë legjitim, ngase aty ka pasur anëtarë që nuk kanë qenë të fushës së teatrit, dhe që parashihet që njëri nga anëtarët duhet të jetë i komunës, ndërsa 4 të tjerë duhet të jenë të fushës së teatrit”, tha Zeqiri.
Më tej ai sqaroi se është në kompetencën kryetarit të komunës që ta caktojë një këshill drejtues dhe nga momenti që të caktohet ky këshill hapet edhe konkursi për Drejtor të Teatrit.
Teatri i Gjilanit tash e disa muaj nuk e ka të zgjidhur këtë çështje.























