VIDEO- Çeku: “Europa Nostra” ka humbur kredibilitetin
Ahmet Maholli/RTK
Ndaj një zyrtareje evropiane ka reaguar sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Përmes një konference për media, ai ka kritikuar raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e cila kishte futur në një fjali shkatërrimin kulturor në Ukrainë me Manastirin e Deçanit.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, në konferencë për media ka reaguar ndaj raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila në një takim me sekretaren gjenerale të organizatës “Europa Nostra”, i kishte futur në një fjali shkatërrimin kulturor në Ukrainë me atë të Manastirit të Deçanit.
“Në Twiterin e zonjës Cramon, Manastiri i Deçanit dhe monumentet e shkatërruara në Ukrainë nga agresioni rus futën në një fjali. Ne duam të besojmë se ajo këtë gabim e ka bërë paqëllimshëm, që nuk i ka informatat e sakta, i ka bërë në mënyrë të ngutshme, megjithatë ajo duhet të na ofrojë një sqarim për këtë gabim që e ka bërë”, tha ai.
Çeku tha po ashtu se organizata “Europa Nostra”, pa të drejtë e ka përfshirë këtë manastir në shtatë monumentet më të rrezikuara në Kosovë, ndërsa e ka refuzuar ta fusë në këtë listë Kalanë e Novobërdës.
“Organizata “Europa Nostra” ka humbur kredibilitetin pasi iu është nënshtruar ndikimit politik të Serbisë, prandaj, përveç që është e nënshtruar nga Serbia, kjo organizatë i shkel edhe objektivat e profesionalizimit dhe e refuzon Kalanë e Novobërdës për t?u përfshirë në shtatë monumentet më të rrezikuara”, ka shtuar Çeku.
Çeku foli edhe për Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21,që po mbahet në Beograd, ku Serbia ua pamundësoi pingpongistëve kosovarë të marrin pjesë në këtë kampionat, duke thënë se kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të sportistëve dhe shkelje e të gjitha konventave ndërkombëtare të sportit, dhe se për këtë Federata e Pingpongut të Kosovës ka dorëzuar padi në Komisionin Disiplinor të Federatës Evropiane të Pingpongut.























