Delegacioni shqiptar në Bruksel për Konferencën e Parë Ndërqeveritare
Denion Ndrenika/RTK/Tiranë
Kryeministria në Tiranë ka publikuar axhendën e punës së delegacionit të Shqipërisë që udhëron drejt Brukselit këtë pasdite, për të marrë pjesë të martën në Konferencën e Parë Ndërqeveritare për eurointegrimin.
25 zyrtarë dhe figura të eurointegrimit, qeveritarë dhe të administratës, janë në delegacionin e Shqipërisë që e udhëheqë kryeministri Edi Rama, raporton korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.
Prej orës 08:30 të martën e 19 korrikut, kryeministri Rama me homologun verimaqedonas, Dimitar Kovaçevski, bisedojnë me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Ora 11 shënon fillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Pas Konferencës, në orën 12 e 30 bashkarisht do të dalin përpara gazatarëve kryeministri Rama, ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Jan Lipavský dhe Eurokomisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi.
Konferenca e Parë Ndërqeveritare u mundësua pas votës "për" të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, për pranimin e propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë për të hequr veton.























