Sistemet në Shqipëri të mbrojtura nga sulmet kibernetike
Denion Ndrenika/RTK/Tiranë
Qeveria në Tiranë njoftoi se falë detektimit dhe përgjigjes së shpejtë kundër sulmeve kibernetike, të gjithë sistemet në Shqipëri janë të sigurta dhe të paprekura.
Qeveria shqiptare thotë se "sistemet qeveritare kanë të gjitha ‘back-up’ dhe janë të sigurta".
"Sigurojmë të gjithë qytetarët se të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare janë të sigurta dhe të paprekura", deklaron qeveria në Tiranë.
Qeveria thotë se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është duke bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët e Microsoftit, nëpërmjet ekspertëve të tyre më të mirë kibernetik të Detektimit dhe Përgjigjes ndaj Incidenteve (DART team).
Po ashtu, theksohet se ka bashkëpunim edhe me ekspertët e “Jones Group International” për trajtimin e situatës dhe kthimin sa më shpejt në normalitet.
Qeveria shpjegoi se metodat e sulmeve kibernetike maskohen fillimisht me tipin "Ransomware"", me anë të të cilave keqbërësit kërkojnë të largojnë vëmendjen nga qëllimi real, që është sulmi ndaj sistemeve kritike.
Hapi i dytë, sipas qeverisë, i këtij sulmi të përqendruar dhe sofistikuar, është goditja në sistemet kritike digjitale të shtetit shqiptar për t’i nxjerrë jashtë funksionit.
Sulmi kibernetik masiv u vërejt mesditën e së premtes, nëpërmjet platformave të monitorimit për sigurinë kibernetike të ngritura për sistemet dhe infrastrukturat qeveritare.
Qeveria tha menjëherë, duke ndjekur protokollet e reagimit, se u krye izolimi i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare për të garantuar mbrojtjen e të dhënave, raporton korrespondenti i RTK-së, Denion Ndrenika.
"Metodat mbi të cilat aktorët keqbërës kanë vepruar janë të ngjashme me sulmet e vitit të fundit, të vëna re në hapësirën kibernetike ndërkombëtare. Teknikat mbi të cilat ky sulm mbështetet janë të së njëjtës natyrë me ato të përdorura për një sërë sulmesh kibernetike në domain-et qeveritare dhe private të kohëve të fundit, si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Holandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit. Vetëm në Ukrainë këtë vit ka pasur 5 sulme me të njëjtën metodologji, ndërsa në Gjermani i njëjti lloj sulmi ka nxjerrë jashtë funksioni impiantet e prodhimit të energjisë me erë", thuhet në deklaratë.
Sipas qeverisë, në këtë çast po verifikohet sistem pas sistemi që këto të fundit të jenë të sigurta në çdo element, përpara se të kthehen sërish online dhe në funksionalitet të plotë.
Ndërkaq, aktorët institucionalë janë në gatishmëri të plotë dhe në komunikim të vazhdueshëm për hetim të thellë e të detajuar të këtij krimi kibernetik.























