Një muaj paraburgim për personin që sulmoi policët me kamion në Leposaviq
BKT
Lajme

Një muaj paraburgim për personin që sulmoi policët me kamion në Leposaviq

Emine Hoti/RTKLive

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar 30 ditë paraburgim për A.D. i cili dyshohet për tre vepra penale, ‘vrasje në tentativë’, ‘kalim i paautorizuar i kufirit’ dhe ‘kontrabandim i mallrave’.

Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari A,D, të shtunën në fshatin Llazhinë të komunës së Leposaviqit, ka rrezikuar jetën e katër zyrtarëve policorë, duke mospërfillur urdhërata e policisë për të ndaluar kamionin në një pikë kontrolli.

I dyshuari gjatë ikjes me kamion në të cilin kishte kryesisht pije të kontrabanduara nga Serbia, ka goditur dy herë automjetin e policisë, ku si pasojë e goditjeve zyrtarët policorë kanë marrë lëndime trupore.

Policët pasi arrijnë ta ndalin kamionin në fjalë, i dyshuari provon të ikë këmbë drejt malit, mirëpo pa sukses sepse arrestohet nga policia.

Avokati i të dyshuarit, Nebojsha Vllajiq, ka bërë të ditur për KosovaPress, se deklaratat e politikanëve rreth këtij procesi nuk i kontribuojnë drejtësisë.

‘Dhënia e deklaratave nga ana e politikanëve në Kosovë rreth këtij gjykimi se kush duhet të qëndrojë në paraburgim dhe kush jo, si dhe paragjykimi që në fillim, asesi nuk i kontribuon këtij procesi dhe bënë presion si në prokurori, ashtu edhe në gjykatë se si duhet të sillen në këtë proces’, ka thënë Vllajiq.

Rasti ndodhi dje teksa zyrtarët e Policisë së Kosovës po tentonin të ndalonin një kamion të dyshuar për kontrabandim mallrash, policia u pengua nga automjete civile në fshatin Jashanicë të Leposaviqit.

Siç njofton policia, kamioni i dyshuar me një shpejtësi të madhe ka ardhur në drejtim të veturave dhe zyrtarëve policorë, me qëllim goditjen e tyre dhe me këtë rast, kamioni ka goditur dy herë një veturë zyrtare policore.

Si pasojë janë lënduar pesë zyrtarë policorë dhe është dëmtuar automjeti i policisë.

Tutje, në përpjekje e sipër për ta ndaluar, vozitësi i kamionit e ka goditur veturën policore për herë të dytë, duke u shkaktuar lëndime zyrtarëve policorë si dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

 


MË SHUME NGA Lajme