Kërçova përkujtoi gazetarin Qani Mehmedi
BKT
Lajme

Kërçova përkujtoi gazetarin Qani Mehmedi

Fadil Gashi / Radio Kosova

Kërçova përmes një Akademie ka përkujtuar pesëvjetorin e vdekjes së  gazetarit, analistit dhe publicistit Qani Mehmedi.

Në akademinë “Pesë vjet pa Qaniun”,  e organizuar nën patronatin e kryetarit të Kërçovës, Fatmir Dehari, për vepren e gazetarit Mehmedi kanë folur shumë personalitete të njohura nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, kolegë dhe miq të Qaniut, si Avni Spahiu, Mirela Oktorva, Halil Matoshi, Astrit Memia, Ali Ahmeti etj.

Akademia ka kaluar e përcjellë edhe me një skenar artistik, përfshirë dhe shfaqjen e një dokumentari kushtuar jetës dhe veprës së gazetarit Mehmedi. 

Vetë nikoqiri, kryetari  Kërçovës, Fatmir Dehari e ka vlerësuar veten me fat që e kishte njohur dhe e kishte mik Qani Mehmedin. “Ai ishte dhe mbeti udhërrëfyes në politikbërjen shqiptare”, theksoi Dehari.

Nga kolegët, gazetari Mehmedi u vlerësuar si një mik i shkëlqyer, vizionar dhe profesionist i vërtetë i gazetarisë, që ka lënë zbrazti në gjithë gazetarinë shqiptare. Për gazetarin Memedi u nda dhe çmimi posmortum “Imazhi shqiptar”, të cilin profesori Astrit Memia ia dorëzoi të birit Mentor Mehmedi.

Në vlerësimin për çmimin thuhej mes tjerash se “Qani Mehmedit ishte gazetar, publicist dhe intelektual i guximshëm, misionar dhe vizionar që mobilizonte masat dhe u jepte atyre moral për proceset e këthesave vendimtare të kombit”.

Për Qaniun foli edhe miku i tij dhe kolegu Avni Spahiu, ish  ambasador i Kosovës në SHBA dhe  Turqi. 

“Qani Mehmedi ishte dëshmitari më i mirë për shtetformimin e Kosovës deri në pavarësinë e plotë dhe mbetet gjurmëmadhi më i madh në karrierën e tij 40 vjeçare gazetareske”, vlerësoi Spahiu.

Edhe ish drejtoresha e Televizionit shqiptar, Mirela Oktrova ka kujtuar gazetarin Qani Mehmedi, duke e velërsuar në superlativ profesionalizmin dhe karakterin e tij.

Për figurën e gazetarit Mehmedi folën edhe kolegët e tij Asllan Bajrami e Halil Matoshi. Ndërkaq, lideri i BDI-së Ali Ahmeti,  shprehu  mirënjohje të lartë për gjithë kontributin e dhënë në fushën e medias dhe proceset e vështira të krizave të mëdha për popullin shqiptar në hapësirat ballkanike.

Pjesë e manifestimit përkujtimor, ishin edhe këngët e interpretuara nga solisti i njohur Dervish Dervishi “24 pashallarë” dhe “Vinë vaporat” të cilat Qaniu i kishte përzemër. Gjithashtu vajza e tij Besiana Mehmedi, ka interpretuar këngën emocionuese  “Faleminderit babë”.


MË SHUME NGA Lajme