Rama: Rruga e Shqipërisë drejt BE-së me shumë sfida, jo e lehtë
BKT
Denion Ndrenika/RTK/Tiranë
Shqipëri

Rama: Rruga e Shqipërisë drejt BE-së me shumë sfida, jo e lehtë

Denion Ndrenika/RTK/Tiranë

Kryeministri Edi Rama tha në Tiranë se lartësimi i flamurit të Bashkimit Europian në selinë qeveritare shënon ngritjen e Shqipërisë për të ardhmen e saj, liritë, të drejtat, sigurinë dhe zhvillimin.

Në ceremoninë zyrtare për hapjen e negociatave të eurointegrimit të Shqipërisë, kryeministri tha se është rrugëtimi i parë i historisë me mundësinë e artë për të bërë shtetin që meritojnë shqiptarët. Sipas tij, ngritja e flamurit të BE-së në selinë e kryeministrisë shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel, jo vetëm në marrëdhëniet me Bashkimin Europian por dhe me të ardhmen e saj me institucionet, liritë dhe të drejtat, sigurinë dhe zhvillimin e saj në çdo drejtim. Kryeministri ia njohu meritat kundërshtarëve politikë opozitarë për eurointegrimin duke theksuar se "do të kisha dashur shumë që sot të mund të ishte këtu dhe opozita, jo thjeshtë sepse jo gjithçka që është arritur në këtë rrugë të gjatë mban vulën e palës sonë, por sepse ky nivel i ri marrëdhëniesh i Shqipërisë me Bashkimin Europian, natyrshëm, kërkon edhe një nivel të ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës". Por, mungesën e opozitës kryeministri e arsyetoi me qenien e saj të ndarë siç tha në një pjesë kundër parimeve euroamerikane siç tha, dhe pjesës tjetër që ka frikë prej tyre, raporton korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika: "Sot për sot, opozita ndodhet në një hendek të madh mes një pjesë të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe me logjikën e marrëdhënieve të Bashkimit Europian me Shqipërinë, që nga korrupsioni domethënës tek minimi i demokracisë dhe një pjese tjetër, e cila ndryshon nga e para vetëm për faktin se nuk është damkosur si e padëshirueshme për partnerët tanë ndërkombëtarë dhe këta të dytët, edhe kur i fton nuk vijnë sepse kanë frikë nga të parët". Shumica qeveritare premtoi kryeministri, do të ecë përpara, pasi siç theksoi nga sot, rruga e Shqipërisë nuk bëhet më e lehtë, por shumë më sfiduese: "Kështu që, hë për hë, do bëjmë siç kemi bërë gjithmonë se gjë tjetër nuk bëjmë dot edhe po të duam. Shënon edhe ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënieve të shoqërisë dhe qytetarit shqiptar me vlerat, parimet, standardet, rregullat dhe frymën e bashkëjetesës demokratike europiane". Garanci kryeministri dha për moscenimin e pavarësisë së drejtësisë: "Për sa kohë, të paktën unë do të jem këtu, shumica qeverisëse e Shqipërisë nuk do të bëhet kurrë mburoja e asnjë subjekti të punës suaj ashtu sikundër ju nuk do të ndiheni kurrë vetëm në luftën tuaj me korrupsionin dhe me krimin e organizuar". Për zotin Rama, rruga e mundimshme, kthesat dhe ndalesat e saj, të tatëpjetat e vështira dhe rrëshqitjet e pashmangshme përgjatë saj, e kanë bërë më shumë se njëherë dëshmitar të faktit se kjo arritje historike do të mund të mendohej pa ndihmën e tyre, aq saç mund të mendohet Reforma në Drejtësi pa mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.  Kryeministri shtoi se përballja me plagët dhe hijet e të shkuarës, aftësia, fryma, për ndryshim, energjia, vendosmëria e durimi hyjnë në një test të ri.

 


MË SHUME NGA Shqipëri