PD kërkon të shtohet ‘gjenocidi serb në Kosovë’ në projektrezolutën e PS-së
Denion Ndrenika
Partia Demokratike opozitare ka kërkuar nga socialistët qeveritarë që të përfshijnë gjenocidin serb në Kosovë në tekstin e projektrezolutës që është planifikuar të diskutohet dhe votohet të enjten në Kuvendin e Shqipërisë.
Kryetari i deputetëve demokratë, Enkelejd Alibeaj i dorëzoi Kuvendit propozimin për shtesën në rezolutën që i kërkon Këshillit të Europës të konsiderojë të paverifikuara akuzat e senatorit Dick Marty për trafik organesh nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Alibeaj ka qartësuar se propozimi është shumë i rëndësishëm dhe synon që të theksohet gjenocidi serb.
“Duke konstatuar se Republika e Serbisë po mundohet t'i shmanget përgjegjësisë, duke u fshehur pas sajesave, të cilat kërkojnë të paraqesin para botës viktimën për agresor, Kuvendi i Shqipërisë dënon gjenocidin, spastrimin etnik dhe masakrat e kryera nga ushtria serbe me urdhër të Sllobodan Millosheviqit mbi civilët e pafajshëm të Kosovës”, - thuhet në kërkesën e Alibeajt, raporton korrespondenti i RTK-së, Denion Ndrenika.
Deputeti Alibeaj u kërkoi propozuesve socialistë në seancën e kaluar plenare të Kuvendit, të sqaronin përse shmangej debati për gjenocidin në njërën nga pjesët e kombit shqiptar.























