Balla: Të enjten votojmë në Kuvend rezolutën për Kosovën
Denion Ndrenika
Kryetari i deputetëve qeveritarë socialistë, Taulant Balla tha në Tiranë se në seancën plenare të së enjtes do të votohet projektrezoluta kundër pretendimeve të senatorit zviceran Dick Marty, për kinse kryerje krimesh apo trafik organesh njerëzore nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Balla thekosi se rezoluta synon rrëzimin e pretendimeve të sajuara të senatorit Marti në Këshillin e Europës, të shpalosura në 2011.
Sipas tij, ka rëndësi madhore heqja "e një balte të hedhur padrejtësish kundër luftës së Kosovës", duke qenë se "është në nderin e Kuvendit të Shqipërisë".
"Nesër në rend dite do të jetë një rezolutë e rëndësishme që rrallë herë i bie radha të diskutohet, mbi pabazueshmërinë e pretendimeve lidhur me trafikimin e organeve në Shqipëri dhe Kosovë, pretendime të ngritura 11 vite më parë", - tha Balla, transmeton korrespondenti i RTK-së, Denion Ndrenika.
Sipas deputetit Balla, pas më shumë se 11 vjetësh, propozuesit socialistë ndërmarrin këtë nismë rezolute mbi bazën e proceseve të zhvilluara.
Ai tha se "duhet nënvizuar fakti se kemi të bëjmë me një rast ku janë kryer verifikime" dhe kërkoi që "nesër çdo anëtar duhet të jetë në Kuvend dhe se do të ishte nder dhe nuk kemi nevojë për sherrnajë".
"Rëndësia që ka, heqja e një balte të hedhur padrejtësish kundër luftës së Kosovës është në nderin e Kuvendit të Shqipërisë. Rezolutat e tjera më duken pa sens, ku 23 vite nga çlirimi ne t’i kthehemi edhe njëherë"-tha ai.























